Maqedoni

Protestuesit e arrestuar dalin para gjyqit, nga 3 muaj burg me kusht për dy të akuzuar

02.06.2015 15:29

Dy të akuzuar për pjesëmarrje në protestat e dhunshme të pesë majit para qeverisë, Bojan Tanturovski dhe Slobodan Peshiq, pranuan fajin dhe u dënuan me 3 muaj burg...

Dy të akuzuar për pjesëmarrje në protestat e dhunshme të pesë majit para qeverisë, Bojan Tanturovski dhe Slobodan Peshiq, pranuan fajin dhe u dënuan me 3 muaj burg, kusht nëse brenda 1 viti nuk kryejnë vepër tjetër penale, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë nuk pranuan fajin dhe për ta do të vazhdojë procesi gjyqësor.
 
I akuzuari, Peshiq, posedon diagnostifikim për çrregullim psikik dhe varësi nga alkooli, gjendje në të cilën, sipas ekspertizës, ka qenë edhe gjatë pjesëmarrjes në protesta. Të njëjtit gjykatësja i shqiptoi masën mbikëqyrje të mbrojtur dhe vazhdim të patjetërsueshëm të kurimit në organet sociale.
 
Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë qenë pjesëmarrës në turmë, kanë sulmuar pjesëtarë të MPB-së dhe kanë gjuajtur me pllaka bekatoni, shufra hekuri, vezë dhe me gjësende tjera të forta, me çka është prishur rendi dhe qetësia publike.
 
Por, në këtë rast të gjykimit nuk u paraqit asnjë pjesëtarë i policisë i lënduar në protesta për të kërkuar dëmshpërblim, nuk u përmend dëmshpërblim as edhe për fasadën e godinës qeveritare apo dhe ndonjë dëm tjetër material. Gjatë seancës së sotme nuk u lejua incizim nga ekipet televizive.
 
“Dikush që pranon kalon më mirë, më lehtë dhe më shpejt, posaçërisht kur është masa e paraburgimit në pyetje, ndërsa dikush nuk pranon të ngarkohet për një vepër që nuk e ka kryer dhe vazhdon në gjykim. Unë mund të jem i kënaqur nga raporti që gjykatësja kishte për këtë lëndë, duke pasur parasysh statusin e paraburgimit”- deklaroi avokati mbrojtës, Mirosllav Vuiq.
 
Për veprën e njëjtë penale marrje pjesë në turme dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike, muaj më parë protestuesit e arrestuar në protestat e rastit “Monstra” u dënuan me 3 vite burg dhe me shumë të lartë për dëmet materiale shkaktuar Gjykatës Themelore 2 në Shkup.
 
Gjithashtu në procesin gjyqësor një numër i konsideruar i pjesëtarëve të policisë kërkuan dëmshpërblim për lëndimet e marra gjatë protestave. Edhe gjatë protestave të dhunshme në lagjen Gjorçe Petrov, ku u shkaktuan dëme të mëdha materiale, asnjë protestues nuk u dënua me burg.
 
FLORIJE KAMBERI