Deputetët vendosin për “Qytetin e Sigurt”
Kuvendi pritet të votojë sot për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtjet...

Kuvendi pritet të votojë sot për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtjet, të nevojshme për fillimin e sistemit "Qytet i Sigurt" nga 1 shkurti. Mbështetja e nevojshme me shumicë prej dy të tretash për këtë ligj, u sigurua në takimin e liderëve të mbajtur javën e kaluar. E vetmja parti opozitare që ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimet është LSDM-ja, për shkak të dyshimeve në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale.
Me ndryshimet e propozuara ligjore pritet forcimi i sigurisë në trafik përmes vendosjes së një procedure të posaçme për kundërvajtjet e konstatuara me mjete teknike dhe pajisje regjistrimi në kuadër të sistemit “Qyteti i Sigurt”.
Qëllimi është sanksionimi i shpejtë dhe efikas i shkelësve dhe rritja e parandalimit të përgjithshëm. Në fazën e parë, sistemi do të regjistrojë tejkalimin e shpejtësisë, kalimin në dritë të kuqe, skadimin e lejes së qarkullimit dhe parkimin e parregullt, ndërsa në fazën e dytë parashihet zgjerimi i listës së kundërvajtjeve.
Pasi sistemi të vihet plotësisht në funksion, pronarët e automjeteve për të cilat konstatohet kundërvajtje do të marrin njoftim me SMS dhe e-mail, me një link për shkarkimin e procesverbalit me urdhër-pagesë.
Pagesa do të mund të kryhet në mënyrë elektronike dhe, në rast të pagesës me kohë, nuk do të ketë shpenzime shtesë.
