Stuhia dimërore kërcënon ShBA-në
Miliona amerikanë po përgatiten për atë që mund të jetë një nga stuhitë...

Miliona amerikanë po përgatiten për atë që mund të jetë një nga stuhitë më të mëdha dimërore në Shtetet e Bashkuara ndër vite, paralajmëron Shërbimi Kombëtar i Motit të ShBA-së.
Më shumë se 120 milionë banorë ose mbi një të tretën e popullsisë së vendit pritet të preken nga kjo stuhi gjatë fundjavës. Ndërkohë, Uashington Post raporton se sistemi i fuqishëm atmosferik mund të shtrihet në mbi 3.000 kilometra përgjatë territorit amerikan.
Stuhia me reshje të dendura bore dhe erëra të forta pritet të prekë shtetet jugore, disa zona të Miduestit dhe Bregun Lindor, ku do të godasë të dielën. Mes zonave më të rrezikuara janë edhe metropoli i Nju Jorkut, si dhe kryeqyteti Uashington.
Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu për mundësinë e rrëzimit të pemëve dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike.
Sinoptikanët theksojnë rrezikun e hipotermisë dhe ngrirjes, duke u bërë thirrje qytetarëve të mbrojnë edhe kafshët shtëpiake nga temperaturat ekstreme.
Në shtetin jugor të Teksasit, autoritetet kanë aktivizuar menaxhimin e emergjencave për të përballuar situatën, përfshirë monitorimin e shtuar të furnizimit me energji elektrike dhe ndërhyrjen për pastrimin e rrugëve në rast nevoje.
