Maqedoni
Mbi 80 shoqata i shkruajnë Johanes Han, kërkojnë formimin urgjent të qeverisë kalimtare
02.06.2015 15:40
Mbi 80 shoqata joqeveritare dhe aktivistë të emërtuar si “Qytetarët për Maqedoni” i janë drejtuar me anë të një letre komisionarit evropian, Johanes Han...

Mbi 80 shoqata joqeveritare dhe aktivistë të emërtuar si “Qytetarët për Maqedoni” i janë drejtuar me anë të një letre komisionarit evropian, Johanes Han, në të cilën kërkohet formimi urgjent i qeverisë kalimtare, si mënyra e vetme për daljen nga kriza politike.
Në letrën, e cila krahas komisionerit Han u është drejtuar edhe faktorëve të tjerë relevantë të BE-së, qytetarët kërkojmë kthimin e lirisë dhe demokracisë në Maqedoni.
“Kërkojmë njëzëri formimin urgjent të qeverisë kalimtare, e cila do të mundësonte pastrimin e listës zgjedhore, çlirimin e shërbimit publik të RTVM-së nga kontrolli i pushtetit, zgjedhje të prokurorit publik të pavarur, si dhe organizimin e zgjedhjeve plotësisht të lira dhe demokratike, të cilat do ta reflektonin vullnetin politik real të qytetarëve të Maqedonisë. Përbërja e qeverisë kalimtare është çështje marrëveshjeje mes partive kryesore politike. Megjithatë, përbërja e saj duhet t’i përjashtojë të gjithë pjesëtarët e përbërjes aktuale të qeverisë, pasi të gjithë janë të komprometuar seriozisht përmes fjalëve dhe veprave të tyre në bisedat e regjistruara dhe të publikuara nga opozita. Prandaj, pjesëmarrja e cilitdo anëtar nga përbërja aktuale në qeverinë kalimtare do ta cenonte seriozisht besueshmërinë e procesit dhe të qytetarëve ndaj zgjidhjes së drejtë të krizës politike”- theksohet në letrën e “Qytetarëve për Maqedoni”.
Po ashtu në letër inkurajojnë përpjekjet e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së për gjetjen e rrugëdaljes nga ky kaos i shkaktuar nga praktikat e gabuara të partive në pushtet.
“Megjithatë, tërheqim vërejtjen se në këtë proces duhet të keni kujdes për vlerat demokratike dhe evropiane, duke dhënë maksimumin për çrrënjosjen e politikave diktatoriale, të dëmshme dhe destruktive, me qëllim që të mos përsëriten në të ardhmen. Kjo është shumë më e rëndësishme nga angazhimi për qetësimin e revoltit të qytetarëve dhe kthimit të shtetit në gjendje ‘normale’, e cila shumë shpejtë do të shpërthente në një krizë akoma më të madhe”- thuhet në letrën e “Qytetarët për Maqedoni”, të cilët kërkojnë edhe takim me komisionarin Han në njërën nga vizitat e ardhshme, për t’i shprehur argumentet e tyre.
REXHEP QAMILI
