Pako investimesh për Grenlandën, Arktiku mes investimeve dhe rivalitetit global

23.01.2026 13:50

Udhëheqësit evropianë njoftuan një paketë...

Udhëheqësit evropianë njoftuan një paketë investimesh për Grenlandën, pas rritjes së interesit gjeopolitik për rajonin. Bashkimi Evropian pranoi se deri më tani ka investuar në mënyrë të pamjaftueshme në Arktik dhe në sigurinë e tij.

Në samitin e jashtëzakonshëm në Bruksel, liderët ishin unanimë se situata në ishull duhet të ndryshojë.

“Ne kolektivisht kemi investuar shumë pak në Arktik dhe në sigurinë e Arktikut. Prandaj tani është koha e duhur të ndërmarrim hapa konkretë dhe të ndërtojmë mbi atë që kemi arritur dy vite më parë. Ne tashmë kemi propozuar dyfishimin e mbështetjes financiare për Grenlandën. Si pjesë e kësaj, Komisioni së shpejti do të propozojë një paketë thelbësore investimesh me partnerë në rajon, si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Norvegjia, Islanda dhe të tjerë.”, - deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.

Takimi u mbajt pasi presidenti amerikan Tramp hoqi dorë nga vendosja e tarifave dhe nga marrja e plotë e Grenlandës, duke paralajmëruar një marrëveshje për zgjidhjen e problemit me Danimarkën.

“Njoftimi se nuk do të ketë tarifa të reja nga ShBA-ja për Evropën është pozitiv. Tarifat shtesë do të ishin të papajtueshme me marrëveshjen tregtare midis BE-së dhe ShBA-së. Fokusi ynë tani duhet të jetë vazhdimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbrojë interesat e veta dhe do të mbrojë veten, shtetet anëtare dhe kompanitë e tij nga çdo formë presioni.”, - theksoi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.

Trampi deklaroi se marrëveshja kornizë me Danimarkën për Grenlandën, nëse arrihet, do t’i mundësojë ShBA-së të instalojë “Kupolën e Artë”, një sistem mbrojtjeje raketore, në territor danez. Sipas kreut të NATO-s, qëllimi është të parandalohet ndikimi i Kinës dhe Rusisë. Të dyja palët mohojnë se kanë interesa territoriale.

“Të gjithë do të punojmë së bashku. Në fakt, NATO-ja do të përfshihet me ne. Do ta bëjmë këtë së bashku, pjesë të saj, në bashkëpunim me NATO-n, që është mënyra e duhur. Nuk do të kemi kosto, përveç ndërtimit të Kupolës së Artë. Ne do ta ndërtojmë Kupolën e Artë dhe do të marrim pjesë në shpenzimet për të. Teknologjia jonë është e jashtëzakonshme.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Në Mbretërinë e Danimarkës thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ShBA-në për sigurinë e Grenlandës, por vetëm nëse respektohet sovraniteti danez.

“Fusha e burimeve minerare është një kompetencë që i është transferuar autonomisë së Grenlandës dhe nëse do të ketë ndonjë zhvillim në këtë drejtim, së pari duhet që dikush të shprehë dëshirën për një gjë të tillë, dhe që ne, dhe në këtë rast Grenlanda, e cila zotëron territorin, të jemi të gatshëm ta marrim në konsideratë.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Loke Rasmusen.                 

Kryeministri i ishullit kërkoi respektimin e vijave të kuqe, duke theksuar se Grenlanda nuk është për shitje dhe se çdo vendim që lidhet me sigurinë, burimet natyrore apo praninë ushtarake duhet të merret me pëlqimin e autoriteteve grenlandeze.

Ai nënvizoi se ishulli është i hapur për bashkëpunim ndërkombëtar, por vetëm nëse respektohet autonomia, sovraniteti dhe vullneti i popullit të Grenlandës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)