One Maqedonia zyrtarisht do të operojë si operatori i tretë mobil

23.01.2026 14:24

One Maqedonia sot mori licencën për spektrin radiofrekuencor 5G...

One Maqedonia sot mori licencën për spektrin radiofrekuencor 5G nga Agjencia për Komunikime Elektronike dhe zyrtarisht do të funksionojë si operatori i tretë mobil në vend. Fillimisht do të nisë operimin në territorin e Shkupit, duke shfrytëzuar rrjetin e dy operatorëve ekzistues, deri në ndërtimin e rrjetit të vet.

“Që të jemi plotësisht të pavarur kërkohet kohë dhe për këtë arsye do të shfrytëzojmë rrjetin e konkurrentëve tanë për të ashtuquajturin roaming kombëtar. Fillimisht do ta lansojmë rrjetin në Shkup, e më pas në të gjithë territorin e Maqedonisë.”, - deklaroi kryetari i Bordit të drejtorëve të One Maqedonia, Pal Zarandi.

Fillimi me punë i operatorit të tretë mobil shton konkurencën, theksojnë nga AKE, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë që në periudhë të ardhshme të ketë edhe operator të katërt mobil.

“Ka mundësi edhe për operatorin e katërt mobil, përse jo, nëse ka interes. Ashtu siç kishim sukses për operatorin e tretë, për shkak se ne si rregullator e kemi detyrim ligjor ta rritim konkurencën, ka mundësi edhe për operator të katërt. Për prefiksin dot a shohim se cilin e kemi të lirë, por tani kemi numër portabiliti,  asnjë operator nuk është i lidhur me prefiksin, mundet me çfarëdo prefiksi të jesh i lidhur në një operator të caktuar.”, - theksoi drejtori i AEK, Jeton Akiku.

Sipas obligimeve, operatori i ri deri në fund të marsit 2027 duhet të mbulojë një qytet me rrjet 5G; deri në fund të vitit 2028, korridoret kryesore, në përputhje me Marrëveshjen për themelimin e Komunitetit të Transportit, si në rrjetin rrugor bazë, ashtu edhe në atë gjithëpërfshirës, duhet të mbulohen me sinjal të pandërprerë 5G; ndërsa deri në fund të vitit 2030 të mbulohen të gjitha qytetet në vend. (Ersan Pajaziti, TVM2)