Opera dhe Baleti i RMV-së, një e punësuar ankohet për presion nga drejtori, Drejtori Arsovski hedh poshtë pretendimet e Petrushevskës
E punësuara në Institucionin Opera dhe Baleti...

E punësuara në Institucionin Opera dhe Baleti Nacional i RMV-së, Tanja Petrushevska, ka akuzuar drejtorin e këtij institucioni, Oliver Arsovski, se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar presion, nënçmim dhe degradim të të punësuarve, duke shkuar madje edhe deri në largimin e saj nga puna. Ky largim, sipas saj, është bërë në mënyrë të paligjshme, duke mos respektuar asnjë procedurë paraprake. Të gjitha këto pakënaqësi, sipas saj, kanë arritur kulminacionin më datë 16 Janar, ndërsa më datë 20 janar kam pranuar vendimin për suspendim nga puna.
“Përmes përkrahjes që kam marrë nga Sindikata e Kulturës, jemi drejtuar deri tek ministri i Kulturës dhe kemi kërkuar mbrojtje nga presionet e vazhdueshme, shantazhet, por edhe kërcënimet që nga ardhja në pozitë e drejtorit aktual, Oliver Arsovski. Për 30 vite, në këtë institucion kam kryer punën me përgjegjësi, por gjatë vitit të fundit disa kolegë dhe unë vazhdimisht jemi duke u përballë me torturën, ndërsa e gjithë kjo ka kulmuar me largimin tim nga puna. Të gjitha këto vendime, janë jashtë të gjitha kompetencave ligjore të cilat i takojnë drejtorit. Kërcënime kanë pasur edhe kolegët të cilët dolën në mbështetjen time, prandaj edhe kërkojmë mbrojtjen e ministrit të Kulturës, por kërkojmë ndihmën edhe të kryeministrit Mickoski.”, - u shpreh punëtorja e larguar nga Opera dhe Baleti, Tanja Petrushevska.
Por, për drejtorin e këtij institucioni, Oliver Arsovski, Petrushevskës i është dhënë vendimi suspendimi, sepse ajo pengonte procesin e punës së kolegëve të saj dhe deri në këtë moment nuk ka kurrfarë suspendimi, pa sjellë vendim Komisioni Disiplinor.
“Nuk ka kurrfarë dënimi për të deri në këto momente dhe jemi në pritje të vendimit të Komisionit Disiplinor. Ajo ka marrë vendimin për suspendim, sepse ajo ka prishur procesin e punës dhe vazhdimisht është sjellë në mënyrë agresive në drejtim të dirigjentit, dhe të disa kolegëve të saj. Prandaj, që të munden kolegët t’i mbarojnë ushtrimet dhe detyrat e dhëna, ne i kemi dhënë suspendim nga puna derisa është duke u zhvilluar procesi. Në momentin kur të sjellë vendim Komisioni Disiplinor, atëherë do ta kemi të qartë së cili vendim është sjellë dhe atë vendim do ta nënshkruaj. Ne ia kemi ndaluar edhe qasjen në institucion, sepse kolegët nuk ishin të sigurt me prezencën e saj.”, - deklaroi drejtori i “Operës dhe Baletit Nacional të RMV-së”, Oliver Arsovski.
Sipas drejtorit Arsovski, ky vendim i Komisionit Disiplinor do të sillet të hënën ose të martën dhe çfarëdo lloj vendimi të sjellin ato, ai do ta nënshkruajë, por ekziston mundësia sipas tij, që të dënohet edhe me të holla apo ndonjë dënim tjetër. (Fitim Kryeziu, TVM2)
