Botë
ShBA, bisedime për Ukrainën në Moskë, Zelenski: Marrëveshja është gati për t’u nënshkruar
23.01.2026 17:42
E ardhmja e territoreve të Ukrainës po diskutohet në Moskë...

E ardhmja e territoreve të Ukrainës po diskutohet në Moskë, ku presidenti rus Vladimir Putin u takua me të dërguarin special të ShBA-së, Uitkof, dhe me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Tramp, Jared Kushner. Në qendër të bisedimeve ishte statusi i zonave në Ukrainën lindore, të cilat aktualisht ndodhen nën pushtimin rus. Sipas përfaqësuesve të Kremlinit, nuk mund të ketë marrëveshje afatgjate, pa zgjidhjen e çështjeve territoriale.
“U theksua sërish se pa zgjidhjen e çështjes territoriale, duke u mbështetur vetëm në formulën e dakorduar në Ançorexh, nuk ka shpresë për një zgjidhje të qëndrueshme. Siç theksoi Putini, ne jemi sinqerisht të interesuar për zgjidhjen e krizës ukrainase përmes mjeteve politike dhe diplomatike. Deri atëherë, Rusia do të vazhdojë të ndjekë qëllimet e operacionit special ushtarak në fushëbetejë.”, - deklaroi këshilltari i Kremlinit për Politikë të Jashtme, Juri Ushakov.
Nga ana tjetër, Donald Tramp deklaroi se si Putini, ashtu edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, janë të interesuar për arritjen e një marrëveshjeje dhe se të dyja palët po bëjnë lëshime për t’i dhënë fund luftës.
“Ka pasur momente kur Putini nuk donte marrëveshje dhe momente kur Zelenski nuk donte marrëveshje. Tani mendoj se të dy duan të arrijnë një marrëveshje. Do ta shohim.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Sipas Zelenskit, Ukraina ka përgatitur tashmë bazën e nevojshme për garancitë e sigurisë. Hapat e ardhshëm varen nga dakordësia e ShBA-së për kohën dhe vendin e nënshkrimit.
“Garancitë tona të sigurisë janë realisht gati. Marrëveshja është gati për t’u nënshkruar. Sigurisht, do të ketë ende shumë detaje teknike dhe do të përgatiten dokumente shtesë mbi bazën e këtij dokumenti. Por, marrëveshja kryesore, ajo bazë për garancitë e sigurisë, tashmë ekziston. Tani po pres që presidenti Tramp të propozojë datën dhe vendin.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Takimet dyditore trepalëshe mes ShBA-së, Ukrainës dhe Rusisë kanë nisur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Bisedimet në Abu Dhabi konsiderohen një hap i rëndësishëm në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.
FARIJE DAUTI BAKIU
