Maqedoni
Votohen ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje
23.01.2026 15:51
Me 81 vota për dhe 19 kundër, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje...

Me 81 vota për dhe 19 kundër, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, që mundësojnë aplikimin e sistemit “Qyteti i Sigurt”. Paraprakisht mes të zgjedhurve, votimi u shoqërua me debat, për dhe kundër.
Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, u shpreh se grupi parlamentar i tyre nuk ka votë kundër qytetarëve. Ajo sërish theksoi edhe shkeljen e gjuhës shqipe në raportet e kundërvajtjes.
“Ligji është antikushtetues. Raportet në shkelje nuk vijnë në gjuhën shqipe dhe kam frikë se ka ende shumë punë për harmonizimin e shenjave të komunikacionit me raportin për shkelje apo kundërvajtje. Ne votojmë sipas bindjes së qytetarëve. Nuk kemi besim se do të bëhen ndryshimet në të ardhmen.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” do të hyjë në fuqi më 1 shkurt
Deputetja Iliri Dauti tha se ligji bën ndarje në segmentin më të ndjeshëm, në këtë rast në siguri. Dilemë për të është edhe situata nëse ligji pretendon rend apo plaçkitje të qytetarëve, sidomos në vendet dhe rrugët me infrastrukturë të ngarkuar.
“Duhet të kemi parasysh edhe faktin që në rrugët e disa prej vendeve ku janë vendosur kamerat dhe janë më të shpeshta, sidomos në Çair, infrastruktura është shumë e dobët, që ka shumë më shumë arsye për shkelje. Krejt kjo, padyshim, le hapësirë për dyshim se a është kjo zhvatje e qytetarëve të këtyre qyteteve apo me të vërtetë ka të bëjë me rendin dhe sigurinë siç pretendohet.”, - deklaroi deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti.
Ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, opozita shqiptare dhe LSDM votoi kundër
Ky ligj s’është i barabartë për tërë qytetarët e vendit, tha deputeti Rijad Shaqiri. Sipas tij, siguria mund të vijë edhe nga efikasiteti i policisë dhe gjyqësorit. Paralajmëron iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, nëse ligji ka harmoni me aktin më të lartë juridik.
“Ky ligj nuk është gjithëpërfshirës, nuk është në sinkronizim me Kushtetutën e RMV-së, nenin 9, në të cilën ky ligj planifikon të aplikohet në tre qytete, Shkup, Tetovë, Kumanovë. Me këtë diskriminohen qytetarët. Të fundit që do ta bëjmë është se do të parashtrojmë kërkesë deri te gjyqi kushtetues për kushtetutshmërinë e këtij ligji.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Rijad Shaqiri.
Oliver Spasovski nga LSDM ngre shqetësim për shkeljen e privatësisë së qytetarëve me aplikimin e masave nga “Qyteti i Sigurt”.
“Ky nuk është ligj për “Qytetin e Sigurt”, ky është ligj për dënimet që do të nxisë sistemi “Qyteti i Sigurt”, dhe në raport me këtë çështje dua të them dy çështje kryesore që i kemi thënë në opinion: gjithçka që do të merret si e dhënë nga kamerat e “Qytetit të Sigurt” është e paqartë se në çfarë mënyre do të ruhet dhe a mund të keqpërdoret. E dyta, për mua e papranueshme mbledhja e adresave elektronike dhe numrave të telefonit të pronarëve të automjeteve. Kjo është një bazë që gjithashtu mund të keqpërdoret dhe është problem serioz.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti. Ky projekt, sipas propozuesit, synon rritjen e sigurisë në komunikacion përmes kamerave për monitorimin e shkeljeve, si kalimi në të kuqe dhe shpejtësia. Për jetësim, ligji kërkoi 2/3 e votave dhe ky miratim u mundësua nga deputetët e VMRO–DPMNE-së, VLEN-it, Koalicionit “E di” dhe E Majta.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
