Botë
Arkitekti i Gjermanisë së bashkuar, Helmut Kohl, nën “kujdes intensiv”
02.06.2015 16:12
Ish-Kancelari gjerman dhe arkitekti i ribashkimit të RFGJ-së me RDGJ-në, Helmut Koh...

Ish-Kancelari gjerman dhe arkitekti i ribashkimit të RFGJ-së me RDGJ-në, Helmut Kohl, ndodhet në gjendje tepër të rëndë shëndetësore dhe nën kujdesin intensiv të mjekëve, pasi iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal të zorrëve.
Lajmi bëhet i ditur nga raportime të medias gjermane, sipas të cilave konservatori 85-vjeçar është i shtruar në klinikën e Heidelbergut.
Edhe pse klinika është bërë e ditur nga “Der Spiegel”, asnjë koment zyrtar nuk është bërë qoftë nga bluzat e bardha, ashtu dhe nga zyra e ish-Kancelarit.
I mbiquajtur shpesh si “babai i ribashkimit” të Gjermanisë ka qenë Kancelari më jetëgjatë i këtij vendi, përfshi edhe periudhën e fundit paqësor të Luftës së Ftohtë; më konkretisht prej vitit 1982 deri në 1998.
“Der Spiegel” e ka përshkruar gjendjen e tij si tepër “kritike”, duke cituar burime pranë ish-Kancelarit. Ndërsa sipas revistës “Bunte”, Kohl ka qenë i pavetëdijshëm prej një kohe të gjatë, që pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Revista gjermane bën të ditur se ai i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje në legen gjatë muajit maj dhe i është dashur të shtrohet në një qendër rehabilitimi këtë muaj.
