Maqedoni

Punëtorët e Postës së Maqedonisë në protestë, Posta e Maqedonisë: Pagat janë siguruar

23.01.2026 16:31

Punonjësit e Postës së Maqedonisë protestuan sot, siç thonë ata...

Punonjësit e Postës së Maqedonisë protestuan sot, siç thonë ata, për shkak të vonesës së pagesës së pagës për muajin dhjetor dhe se disa muaj me radhë, pagat u vonohen. 
 
Sipas tyre, rreth 60% e të punësuarve janë me pagë minimale, ndërsa as atë nuk e marrin rregullisht. Ata po ashtu theksuan se rreth 300 nga të punësuarit janë pa vendime pune.
 
Paralajmëruan se do t’i dërgojnë njoftim Bordit Drejtues të Postës, se, nëse edhe muajin e ardhshëm paga u vonohet, sërish do ta ndërpresin punën që më datën 15 të muajit. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë apeluan që Qeveria të ndërhyjë dhe gjatë ditës t’u paguhet paga punonjësve.
 
Por, nga Posta e Maqedonisë thonë se paga është e siguruar për të gjithë të punësuarit, por vlerësojnë se greva është tendencioze dhe e motivuar politikisht. Posta e Maqedonisë thotë se Sindikata ka qenë e informuar me kohë se paga është siguruar, por nuk sqarojnë nëse ajo paguhet me kohë apo jo.