Botë
Manipulimi me numërimin e votave në Kosovë, Prokuroria merr në pyetje 100 komisionerë
23.01.2026 16:54
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren...

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren ka kryer një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.
Me këtë rast, më shumë se 100 zyrtarë të angazhuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim. Ky aksion i autoriteteve për zbatimin e ligjit në Kosovë vjen pas dyshimeve se ka pasur manipulime të mëdha të votave brenda subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Kjo e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vendosë për rinumërimin e plotë të votave.
Po ashtu KQZ-ja paraprakisht i shkarkoi përfaqësuesit e partive politike në Komisionin Komunal në Prizren, ku edhe u evidentua numri më i madh i manipulimit prej mijëra votash, siç ishte rasti me kandidatin e PDK-së, Fetah Paçarizi, të cilit në Prizren i kanë rezultuar të pavërteta mbi 6 mijë vota. Shumica e kandidatëve për deputetë, përfshi Paçarizin, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe e kanë dënuar këtë dukuri.
