Botë
Rusia me sulme masive mbi Ukrainë, bisedime për paqe në Abu-Dhabi
24.01.2026 14:01
Rusia kreu sulme të reja masive me dronë dhe raketa në mbarë Ukrainën...

Rusia kreu sulme të reja masive me dronë dhe raketa në mbarë Ukrainën, vetëm disa orë pas fillimit të takimeve të para të drejtpërdrejta trilaterale mes Kievit, Moskës dhe Uashingtonit në Abu Dhabi. Sulmet ishin sërish të përqendruara në infrastrukturën energjetike. U goditën Kievi, Harkivi dhe Sami. Ka viktima dhe të plagosur.
“Raportet paraprake tregojnë se 25 dronë Shahed kanë goditur Harkivin. Janë dëmtuar ndërtesa banimi dhe shtëpi private, si dhe një spital i përgjithshëm dhe ndërtesa gjinekologjike. Sulme ka patur edhe nëpër qytete të tjera.”, u shpreh kryetari i bashkisë së Harkivit, Ihor Terekhov.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës e akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se ka urdhëruar në mënyrë “cinike” një sulm masiv me raketa pikërisht në momentin kur delegacionet ishin ulur në tryezën e bisedimeve.
“Raketat e tij nuk goditën vetëm popullin tonë, por edhe tryezën e negociatave. U përdorën dhjetëra raketa balistike dhe qindra dronë. Objektivat ishin të njëjta; infrastruktura energjetike dhe zonat e banuara. Ky sulm barbar dëshmon edhe një herë se vendi i Putinit nuk është në tryezën e paqes, por në bankën e të akuzuarve të një tribunali special.”, u shpreh ministri i jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.
Presidenti ukrainas tha se sulmet e reja dëshmojnë nevojën për zbatimin e marrëveshjeve për mbrojtjen ajrore me SHBA-në, ndërsa bisedimet për paqe me Rusinë vazhdojnë në Abu Dhabi, pa përfundime konkrete për momentin.
“Është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi përmbajtjen, do të shohim si do të zhvillohen bisedimet dhe cilat do të jenë rezultatet. Nuk mjafton që vetëm Ukraina të dëshirojë përfundimin e kësaj lufte dhe arritjen e sigurisë së plotë; një dëshirë e tillë duhet të shfaqet edhe në Rusi.”, u shpreh president i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kremlini nuk dha detaje mbi bisedimet, por përsëriti se për Rusinë çështje kyçe mbetet statusi i Ukrainës lindore dhe Donbasit. Kombet e Bashkuara përshëndetën përpjekjet për paqe, duke theksuar se zgjidhja e konfliktit duhet të respektojë integritetin territorial të Ukrainës, në përputhje me Kartën e OKB-së.
“Sigurisht që i inkurajojmë përpjekjet për afrimin mes Federatës Ruse dhe Ukrainës në përpjekje për të zgjidhur konfliktin e armatosur mes tyre. Por, siç e dini, ne mbështesim një zgjidhje në përputhje me Kartën e OKB-së.”, u shpreh zëdhënës i OKB-së, Farhan Haq֩.
Për Ukrainën, negociatat janë thelbësore edhe për garancitë e sigurisë që do ta mbrojnë nga sulme të ardhshme ruse pas një marrëveshjeje paqeje, me një rol të veçantë për SHBA-në. NATO ka paralajmëruar tashmë shtimin e armëve dhe municioneve në krahun lindor të Aleancës për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
FARIJE DAUTI BAKIU
