Maqedoni

Propozim ligji për mbrojtje nga duhani, Aliu: Definohet qartë ku mund të pihet duhan

24.01.2026 14:29

Aliu, në intervistën “1+1” në TVM2, tha se propozim-ligji për mbrojtje nga duhan nuk është më rigoroz sesa legjislacioni aktual...

Propozim ligji për mbrojtje nga duhani, i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, nuk ka për qëllim ndëshkimin, por parandalimin dhe mbrojtjen e shëndetit publik të të gjithë qytetarëve. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në intervistën “1+1” në TVM2, sipas të cilit ky propozim-ligj nuk është më rigoroz sesa legjislacioni aktual kundër pirjes së duhanit. Aliu theksoi se për draft versionin e parë të këtij ligji deri më tani kanë ardhur komente pozitive, madje edhe nga duhanpirësit, pasi që falë tij tani do të definohen qartë hapësirat për pirjen e duhanit dhe nuk do të ketë më hapësirë për abuzime, siç ka qenë rasti me rregullativën aktuale.

“Propozim ligji definon të gjithë normat ligjore dhe aty janë të definuara shumë mirë dhe saktë, dhe kjo është bërë për dy qëllime. Qëllimi i parë, duke mësuar nga mos implementimi i ligjeve paraprake, kemi mësuar se ligji paraprak nuk është mirë i analizuar, ose është shumë fleksibil, ku u jep mundësi të ndryshme për të abuzuar brena për brenda institucioneve dhe rezultoi se as bizneset nuk ishin të kënaqura për shkak se thonin se në një lokal pihet, e në tjetri nuk pihet duhani. E në një lejohet e të tjetri nuk lejohet. Pra, për të anashkaluar këtë lloj abuzimi të themi institucional vendosëm që ligji të jetë mirë i definuar në aspekt të infrastrukturës ku mund të pihet e ku nuk mund të pihet duhani. Kjo është e para. E dyta ligji është për mbrojtjen nga duhani, nuk është kundër duhanpirësve dhe ne si MSH kemi obligim të krijojmë ligje dhe infrastrukturë për qytetarët tanë, sidomos për qytetarët të cilët nuk janë duhanpirës.”, u shpreh për TVM2 ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Sipas të dhënave që ka në dispozicion Ministria e Shëndetësisë, rreth 45 për qind e popullatës së këtij vendi janë duhanpirës aktivë, ndërkohë rreth 5 për qind e Bruto Prodhimit Vendor  shteti shpenzon për trajtimin e qytetarëve me sëmundje të ndryshme që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me pirjen e duhanit, gjë që i shqetëson dukshëm autoritetet shëndetësore. Ky propozim-ligj, nuk do të ndikojë negativisht as në ekonominë e vendit, shtoi Aliu, duke shtuar se sektori i gastronomisë nuk do të preket financiarisht për t’i përshtatur objektet e tyre në përputhje me këtë ligj.  
 
“Investimet në bizneset gastronomike deri më tani kanë qenë në teracat i kanë mbyllur dhe tani çfarë duhet të bëjnë, vetëm t’i hapin dhe në të njëjtën teras do të mund të pihet cigarja vetëm të mos jenë të mbyllura nga tre anët aq, pra u nevojitet vetëm gjysmë dite që t’i adaptojnë hapësirat që i kanë mbyllur me xhama apo me ndonjë element tjetër që t’i hapin dhe aq, nuk nevojitet asgjë tjetër, pra nuk ka ndonjë investim i madh. Në aspektin tjetër gjithsesi jemi të vetëdijshëm se duhet të informohen qytetarët bizneset dhe ne jo rastësisht themi se gjithçka shkon në rregull në mars do të zbatohet ky ligj, nëse e shohim se na nevojitet edhe një ose dy muaj shtesë, ne do të shtyjmë dhe këtu mund të jemi fleksibil, mirëpo qëllimi kryesor është që nga dita e parë kur do të hy në fuqi këtë ligj, i njëjti të zbatohet. Por gjithsesi se këtu duhet të jemi të sigurt se bizneset dhe institucionet shtetërore janë të gatshme për zbatimin e tij të plotë.”, u shpreh Aliu.
 
Aliu gjithashtu foli edhe për procedurën e zbardhjes së plotë të akuzave për ndërhyrje të panevojshme kardiovaskulare në spitalet private. Sipas tij, për verifikimin e pretendimeve po punojnë ekspertë të kardiologjisë nga vendi dhe jashtë, të cilët janë duke i analizuar të gjitha rastet e dyshimta. Ai tha se për më pak se tre muaj raporti final do të jetë gati dhe se i njëjti do të prezantohet para opinionit publik. 
 
Sa i përket ndërtimit të kompleksit të ri në Qendrën Mjekësore Ushtarake “8 Shtatori”, Ministria e Shëndetësisë pritet që brenda dy deri në tre javë të hapë thirrjen për analizë të infrastrukturës së kësaj klinike. Aliu tha se këtë vit do të fokusohet në zgjidhjen e mungesës së vendparkimeve në Spitalin e Shtetit, mungesës së të punësuarve, përmirësimin e kushteve spitalore si dhe do të punojë në digjitalizimin e shërbimeve mjekësore.
 
REXHEP QAMILI