Maqedoni
LSDM mbajti kongresin e 31-të, Filipçe: BE na fshiu, SHBA s’na regjistron
24.01.2026 14:44
LSDM mbajti Kongresin e 31-të, në të cilin u analizuan rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale...

LSDM mbajti Kongresin e 31-të, në të cilin u analizuan rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale. Ky kongres u mbajt në kushte të tensioneve të shtuara brendapartiake dhe kritikave publike ndaj udhëheqjes aktuale të LSDM-së. Në këtë kongres, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, njëkohësisht dha llogari për punën e kryer dhe i bëri thirrje anëtarësisë së LSDM-së për bashkim, për shpëtimin e dinjitetit maqedonas, duke kritikuar udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së, e cila sipas tij, se po e çon vendin drejt izolimit.
“Maqedonia është në krizë diplomatike. Rruga evropiane e këtij vendi është e bllokuar, ndërsa ata nuk kanë plan. Evropa na fshiu, ndërsa Amerika nuk na evidenton. Në vend që të ishim brenda perimetrave të SHBA-së, me Mickoskin përfunduam jashtë rrethit të quajtur Evropë. U zbulua boshti me Serbinë dhe Hungarinë, aleanca me Orbanin dhe Vuçiqin, ku përfaqësohen qëndrime antievropiane dhe mbështeten qëndrime pro ruse, gjë që na çoi deri aty sa të jemi në listën e Amerikës bashkë me vendet e botës së tretë.”, u shpreh lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe: Derë më derë për ta zgjuar Maqedoninë
LSDM-ja tani po hyn në një fazë të konsolidimit të plotë të brendshëm, ku nuk do të tolerohen më anëtarë që, siç u shpreh, “ulen në dy karrige” dhe njëkohësisht punojnë edhe për opsione të tjera politike. Kjo, tha Filipçe, do t’i përkasë së kaluarës, duke theksuar se LSDM-ja mbetet e hapur për të gjithë ata që sinqerisht dëshirojnë të luftojnë bashkë, por jo edhe për ata që e minojnë partinë nga brenda. Para të pranishmëve, Filipçe tha se të tjerët e shohin Maqedoninë si gjah dhe si territor për sundim, ndërsa LSDM-ja e sheh atë si shtëpi. Përveç kësaj, LSDM-ja do të angazhohet për një ekonomi më të mirë, paga më të larta, stabilitet social dhe shëndetësor, si dhe siguri për qytetarët.
“Ne garantojmë patriotizëm të vërtetë, e jo nacionalizëm të ashpër që nënkupton vetëm gënjeshtra, krenari të rreme dhe rrahje gjoksi. Patriotizëm që do të thotë përmirësim i të gjitha aspekteve të jetesës, patriotizëm që i bën të gjitha aspektet më të mira, më të begata dhe më të sigurta. Patriotizëm që do të thotë se kujdesemi për secilin, për pakicat dhe për më të dobëtit, pa dallim nëse bëhet fjalë për përkatësi etnike, kombëtare, fetare, gjinore apo orientim seksual. Ne garantojmë një shoqëri pa korrupsion, në të cilën secili do të jetojë, do të përparojë dhe do të ketë mundësi të barabarta, e jo vetëm një grup i vogël rreth qendrave të pushtetit.”, tha Filipçe.
Udhëheqësia e LSDM-së do të punojë fuqishëm në konsolidimin e partisë dhe do të jetë aktive në terren, jo për të kërkuar vota, por për ta zgjuar Maqedoninë nga proceset negative që aktualisht po zhvillohen, tha Filipçe, duke shtuar se socialdemokratët gjatë kësaj periudhe nuk do të merren aspak as me shkrimin e statuseve nga kolltuqe të rehatshme. Gjatë kësaj periudhe, Filipçe tha se LSDM-ja do të insistojë në lojalitet, përcaktim të qartë politik dhe përfshirje aktive të anëtarësisë, në përpjekje për ta forcuar partinë përballë sfidave të ardhshme politike.
REXHEP QAMILI
