Ekonomi
Maqedonia e Veriut ruan vlerësimin kreditor “BB-”, MF: Sinjal i fuqishëm ndaj besimit në politikat ekonomike
24.01.2026 15:02
Në një periudhë të pasigurisë ekonomike globale dhe presioneve të vazhdueshme në tregjet ndërkombëtare...
Në një periudhë të pasigurisë ekonomike globale dhe presioneve të vazhdueshme në tregjet ndërkombëtare, Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit kreditor "Standard & Poor’s" ka konfirmuar vlerësimin kreditor të Maqedonisë së Veriut në nivelin “BB-” me perspektivë stabile. Vlerësimi konfirmon stabilitetin e politikave ekonomike, financat publike të qëndrueshme dhe aftësinë e shtetit për përmbushjen e obligimeve financiare.
“Konfirmimi i vlerësimit është sinjal i qartë i stabilitetit të politikës makroekonomike, nivelit të moderuar të borxhit publik dhe aftësisë së shtetit për t’i servisuar në kohë dhe në vazhdimësi detyrimet financiare, si dhe për sigurimin e vazhdimësisë në kryerjen e politikave ekonomike, edhe në kushtet e rritjes së pasigurisë ekonomike globale.”, - thuhet në raport.
BP: Konfirmohet politika e kujdesshme monetare
Në raport, “Standard & Poor's” thekson se rritja ekonomike po përshpejtohet, e mbështetur nga rritja e investimeve publike, veçanërisht në kuadër të projekteve të mëdha infrastrukturore, si dhe nga rritja e të ardhurave të amvisërive përmes rritjes së pagave dhe pensioneve. Edhe Banka Popullore ka një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe kursit të këmbimit.
“Stabiliteti i kursit të denarit është prioritet për Bankën Popullore, e cila ka përmirësuar kornizën operative të politikës monetare për të menaxhuar më mirë likuiditetin dhe për të forcuar transmetimin e sinjaleve monetare. Banka Popullore fokusohet te instrumentet afatshkurtra dhe operacionet e shpeshta për të ruajtur efektivitetin e politikës monetare, duke siguruar stabilitet dhe ulje të presioneve inflacioniste për vitin 2026.”, - thuhet në raport.
“Standard & Poor’s” thotë se rreziqet mbahen nën kontroll nga BE-ja falë stabilitetit të ekonomisë dhe bankave, si dhe politikave të kujdesshme monetare. Agjencia në raport po ashtu thekson se progresi i mëtejshëm në zbatimin e reformave institucionale dhe strukturore, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, mund të forcojë më tej pozicionin ekonomik dhe fiskal të vendit dhe të kontribuojë në përmirësimin e profilit kreditor. Agjencia pret që rritja ekonomike të arrijë rreth 3.5% në vitin 2026, ndërsa në periudhën afatmesme rritja do të stabilizohet rreth 3%, me rritje graduale të rolit të investimeve private dhe kërkesës së jashtme.
Vlerësimi kreditor kryhet dy herë në vit nga agjencitë “Standard & Poor’s” dhe “Fitch”. Vlerësimi paraqet indikator kryesor për investitorët gjatë marrjes së vendimeve për investime dhe tregon nivelin e riskut të investimit.
FARIJE DAUTI BAKIU
