Maqedoni

“Safe City”, mes sigurisë dhe privatësisë?

24.01.2026 15:51

Projekti “Safe City” pritet të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti...

Projekti “Safe City” pritet të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti dhe po prezantohet nga institucionet si masë për rritjen e sigurisë publike dhe disiplinimin e trafikut. Por, krahas përfitimeve, projekti ka hapur edhe dilema serioze lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, transparencën dhe mënyrën e përdorimit të informacioneve që grumbullohen nga kamerat. 
 
Opinionisti Emrah Xhemaili thekson se pa rregulla të qarta për përdorimin, ruajtjen dhe kontrollin e të dhënave, mbikëqyrja mund të prodhojë më shumë kontroll sesa siguri reale.
 
“Në “Safe City”, kamerat nuk regjistrojnë vetëm imazhe të veturave, por ato prodhojnë të dhëna të ndryshme dhe informata të ndryshme dhe kjo krijon një asimetri të thellë pushteti mes atyre që vëzhgojnë dhe atyre që vëzhgohen. Ligjërisht privatësia është e garantuar nga Kushtetuta dhe standardet evropiane, por në praktikë, kufijtë e përdorimit të të dhënave mbeten të paqartë, kush i kontrollon ato, sa kohë rruhen ato, kush garanton se nuk keqpërdoren etj. Janë gjëra që i shqetësojnë qytetarët.”, u shpreh për TVM2 opinionisti Emrah Xhemaili.
 
Nga MPB kanë bërë të ditur se frytet e këtij projekti kanë filluar të ndjehen qysh në fazën e testimit. Sipas MPB-së, numri i aksidenteve me fatalitet këtë vit ka rënë dukshëm në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Përveç tre qyteteve - Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, pajisjet për "Qytetin e Sigurt" janë instaluar dhe në fazën fillestare duhet të fillojnë të zbatohen në korridoret 8 dhe 10. Nga MPB theksojnë se qëllimi është që në të ardhmen të zbatohet në të gjithë territorin, në mënyrë që të shndërrohet nga një "Qytet i Sigurt" në një "Shtet të Sigurt". “Safe City” morri aprovimin edhe nga shtëpia ligjvënëse, ku deputetët miratuan Ligjin për Kundërvajtje. 
 
ERSAN PAJAZITI