Rajon
Manipulim votash, kërkesë për paraburgim ndaj 11 të dyshuarve
24.01.2026 17:17
Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për 11 të dyshuar...

Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se kanë pranuar nga Prokuroria Themelore katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për 11 të dyshuar, të cilët u arrestuan një ditë më parë pas një aksioni të prokurorisë nën dyshimet për manipulim e falsifikim votash të kandidatëve.
“Deri në këto momente Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave dhe jemi ende në pritje të pranimit të kërkesave nga Prokuroria Themelore në Prizren”, tha Marcel Lekaj zëdhënës i Gjykatës Themelore në Prizren.
Seancat dëgjimore kanë filluar që nga ora 14. Sipas tij, Gjykata ka formuar një grup punues ku janë caktuar 4 gjyqtarë kujdestarë për të pranuar kërkesat për caktim të masave të sigurisë, bashkëpunëtorë profesional dhe staf administrativ mbështetës që do të jenë sot e nesër në kohë të kujdestarisë për pranimin e kërkesave, trajtimin e tyre brenda afatit kohor.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
“Komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti.”, shkruan Kurti.
