Maqedoni
“Safe City”, VMRO-DPMNE: BDI kundër sigurisë në trafik
25.01.2026 14:01
Miratimi i Ligjit për kundërvajtje dhe vënia në funksion të plotë të sistemit “Safe City” vazhdon të jetë “mollë sherri” mes partive politike për shkëmbim akuzash....

Miratimi i Ligjit për kundërvajtje dhe vënia në funksion të plotë të sistemit “Safe City” vazhdon të jetë “mollë sherri” mes partive politike për shkëmbim akuzash. Edhe sot, VMRO-DPMNE-ja akuzoi BDI-në se me mosvotimin e Ligjit për kundërvajtje ka dëshmuar se është kundër një sistemi që garanton sigurinë e qytetarëve në komunikacion, një sistem që, sipas tyre, ka për qëllim uljen e aksidenteve të shpeshta rrugore në vend, të cilat shpesh përfundojnë me pasoja fatale. Nga VMRO-DPMNE theksojnë se “Safe City” nuk ka për qëllim ndëshkimin, por parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në komunikacion. Sipas tyre, këtë gjë e di edhe opozita, por në vend që ta pranojë realitetin, BDI dhe LSDM po veprojnë në funksion të interesave të tyre të përbashkëta, e jo të interesave të qytetarëve.
“Aliu dhe Venko, gjatë kohës kur ishin në pushtet, shoqëroheshin në skema kriminale me kurdisje tenderësh dhe aktivitete të tjera të ngjashme. Ndërsa tani, Aliu dhe Venko treguan se nuk kanë aspak dëgjim për qytetarët dhe nevojat e tyre, pasi të premten deputetët e tyre, në mënyrë të koordinuar, votuan kundër ndryshimeve të Ligjit për kundërvajtje, me të cilat kompletohen normat juridike të nevojshme për nisjen zyrtare të sistemit “Qytet i Sigurt”. Imagjinoni, deputetët e tyre u rreshtuan kundër një sistemi që garanton sigurinë e qytetarëve në komunikacion, një sistemi që synon të ulë aksidentet rrugore, të cilat në Maqedoni shpesh kanë pasoja fatale.”, tha Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
VLEN: Jeta nuk negociohet
Kanë reaguar edhe nga Koalicioni VLEN, duke thënë se sistemi “Safe City” është çështje e sigurisë publike dhe e mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për kamera dhe gjoba, por për shpëtimin e jetëve njerëzore. Njëherazi, ata akuzuan BDI-në, duke thënë se më kot e quajnë veten “Fronti Evropian”, pasi në praktikë kanë dëshmuar se nuk e kanë interesin e përgjithshëm publik. Sipas komunikatës së VLEN-it, për ta çdo vendim është pazar, çdo proces është llogari e brendshme dhe asnjëherë nuk udhëhiqen nga parimet dhe nevojat reale të qytetarëve.
“Rasti i “Safe City” e zbulon hapur krizën e thellë të brendshme në BDI. Një ditë deklarojnë se “në parim janë pro”, ndërsa ditën tjetër e rrëzojnë të njëjtin qëndrim. Kjo dëshmon rrëmujë politike dhe mungesë totale kontrolli. Është e qartë se Ali Ahmeti nuk e kontrollon më as grupin e tij parlamentar. Anija e tyre politike po fundoset. Sapo u aktivizua klika e vjetër, me Sadulla Durakun në krye, çdo pretendim për reformë u shua. E ashtuquajtura “risi” e BDI-së u zhduk në momentin kur foli e kaluara e tyre. Kjo është arsyeja pse kjo parti nuk mund dhe nuk përfaqëson interesin e shqiptarëve sot.”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Të premten, në Kuvend u votuan ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për kundërvajtje, përmes të cilave u mundësua që më 1 shkurt të nisë zyrtarisht zbatimi i sistemit “Safe City”. BDI dhe LSDM nuk e votuan këtë ligj, me arsyetimin se ai është antikushtetues, pasi parashikohet të zbatohet vetëm në një pjesë të territorit të Maqedonisë së Veriut dhe se shumica parlamentare nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e tyre për përmirësimin e ligjit.
REXHEP QAMILI
