Maqedoni
VMRO hedh poshtë akuzat e Filipçes, Petrushevski: LSDM, nënkontraktor i BDI-së
25.01.2026 14:17
Maqedonia e Veriut nuk është vend i izoluar, as në krizë diplomatike, dhe nuk është e vërtet Evropa dhe SHBA-ja kanë hequr dorë nga ne....

Maqedonia e Veriut nuk është vend i izoluar, as në krizë diplomatike, dhe nuk është e vërtet Evropa dhe SHBA-ja kanë hequr dorë nga ne. Vendi është i përcaktuar drejt proceseve euroatlantike dhe nuk është rreshtuar në anën e Rusisë. Kështu u kundërpërgjigjën nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet ndaj akuzave të liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili ditë më herët kërkoi mbështetjen e anëtarësisë së vet për, siç u shpreh ai, për t’i parandaluar këto procese. VMRO-DPMNE e cilëson Filipçen dhe LSDM-në si simbol të tradhtisë kombëtare dhe servilizmit politik. Andaj, vlerësojnë ata, Filipçe nuk ka asnjë kredibilitet moral për të akuzuar të tjerët pa dhënë më parë llogari për marrëveshjet e dëmshme me Greqinë dhe Bullgarinë, propozimin e imponuar francez, si dhe për nënshtrimin e LSDM-së ndaj BDI-së, që, sipas tyre, e shndërroi partinë në çirak politik dhe e çoi drejt humbjeve historike në Shkup dhe në nivel shtetëror.
“LSDM dhe Venko Filipçe janë sinonim i tradhtisë nacionale, i gjunjëzimit dhe i servilizmit ndaj disa qendrave të tjera politike, gjë që e dëshmuan gjatë kohës sa ishin në pushtet. Venko Filipçe nuk ka të drejtë të akuzojë askënd për asgjë, përkundrazi, ai para anëtarësisë së vet duhet së pari të shpjegojë të gjitha tradhtitë kombëtare që i ka bërë, duke filluar nga sjellja servile ndaj Greqisë, më pas marrëveshjen e dëmshme me Bullgarinë, propozimin e imponuar francez, si dhe të gjitha tradhtitë e tjera që i ka bërë qeveria e LSDM-së. Aq më tepër, ai duhet të shpjegojë pse LSDM, teksa ishte në pushtet, u bë çirak dhe nënkontraktor i BDI-së, dhe njëkohësisht t’ua shpjegojë anëtarëve të vet pse LSDM u shndërrua në partinë e pestë në Shkup dhe partinë e tretë në Maqedoni.”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO -DPMNE.
Filipçe, në Kongresin e 31-të të LSDM-së, ditë më herët deklaroi se Maqedonia ndodhet në krizë diplomatike. Sipas tij, rruga evropiane e vendit është e bllokuar dhe VMRO-DPMNE-ja nuk ka plan.
“Evropa na ka fshirë, ndërsa Amerika nuk na evidenton”, tha Filipçe, duke u bërë thirrje për bashkim dhe mobilizim anëtarësisë së LSDM-së për të parandaluar çdo tendencë të tillë që, sipas tij, e largon vendin nga e ardhmja e sigurt evropiane dhe nga mbështetja e faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Në këtë kongres, Filipçe theksoi se nuk do të tolerojë më anëtarë që, siç u shpreh ai, “ulen në dy karrige” dhe bashkëpunojnë me opsione të tjera politike në dëm të interesave shtetërore. Ai shtoi se LSDM-ja po hyn në një fazë të konsolidimit të brendshëm dhe se partia mbetet e hapur për të gjithë ata që sinqerisht dëshirojnë të luftojnë bashkë, por jo për ata që e minojnë atë nga brenda.
REXHEP QAMILI
