Maqedoni
“Safe City”, Qamili: Vendosja e sinjalistikës në proces
25.01.2026 14:42
Qyteti i Tetovës është i papërgatitur për fillimin e implementimit të “Safe City”....

Qyteti i Tetovës është i papërgatitur për fillimin e implementimit të “Safe City”. Në rrugët e Tetovës dhe bulevarde, nuk ka shenja paralajmëruese për kamera apo radar për matje të shpejtësisë, që janë parakusht për funksionimin e kësaj aparature dhe dënimin e vozitësve. Shpesh madje edhe sinjalizimi vertikal është jashtë funksionit. Zëvendës kryetari Albi Qamili, thotë se tenderi për furnizime me sinjalizimin horizontal dhe vertikal është mbyllur dhe është përzgjedhur kompania.
“Në fillim të këtij muaji menjëherë është hapur prokurimi publik për vendosjen e sinjalistikës ndriçuese, sinjalistikës vertikale pra të semaforëve dhe shenjave të komunikacionit. Është zgjedhur kompania dhe tani jemi në fazën e ankesave dhe besoj se nga fillimi i muaji të ardhshëm do të fillojë realizimi apo vendosja e shenjave ku do të vendosen edhe shenja të komunikacionit për matjen e shpejtësisë që korespondon me sistemin “Safe City” i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Do të ketë edhe shenja paralajmëruese se ka kamera dhe krahas kësaj do të vendosen edhe semafor të rinj, ndërkaq, pjesë e këtij prokurimi publik janë edhe renovimet e semaforëve ekzistues.”, thotë zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
Rahimi: Pa sinjalistikë, dënimi është jolegjitim
Ekspertëve thonë se krahas vendosjes së shenjave të shpejtësisë para kamerave, do të duhet që të vendosen shenja edhe pas tyre. Pa vendosjen e sinjalistikës së nevojshme, dënimi i vozitësve nuk do të jetë legjitim thotë eksperti i komunikacionit Sulejman Rahimi.
“Po sigurisht se janë parakushte këto dhe mendoj se e kanë në dije se këto shenja vertikale që paralajmërojnë se ka kamera, duhet të jenë të vendosura me kufizim të shenjave. Kompetentët me siguri se e dinë më mirë, dhe këtë duhet ta ketë parasysh sektori për komunikacion i komunës së Tetovës që paralajmërojnë se afër ka kamera që kontrollojnë qarkullimin.”, u shpreh thotë eksperti i komunikacionit Sulejman Rahimi.
Përndryshe në bulevardin e “Ilindenit” pothuajse askund nuk ka shenjë se sa është shpejtësia maksimale e lejuar. Shenjat e këtilla mungojnë edhe përgjatë bulevardit “Vidoja Smilevski –Bato”. Ndërkohë, shenjat si ato vertikale dhe horizontale në rrugët e Tëtovas mezi i sheh, ndërsa vozitësit shpesh afër shkollave dhe objekteve fetare apo institucioneve, ku duhet të ketë shenja që ulin shpejtësinë e lëvizjes në 30 kilometra në orë, por këta shenja në qytetin e Tetovës thuajse nuk janë.
Ligji për “Safe City” u votua në Kuvendin, dhe pritet që nga 1 Shkurti të implemnetohet. Opozita nuk e votoi, por pozita arriti të bind deputet e Levicës, dhe deputetin e pavaru Ilir Demirin që këtë ligj ta përkrahin.
VISAR SADIKI
