Maqedoni

AUV realizoi mbi 125 mijë kontrolle, shqiptuan gjoba në vlerë prej 618 mijë euro

25.01.2026 14:58

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka realizuar mbi 125 mijë kontrolle inspektuese në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut...

Vitin e kaluar, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka realizuar mbi 125 mijë kontrolle inspektuese në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë dyqane, objekte gastronomike, prodhues, si dhe import-eksport. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar mbi 1.000 gjoba në vlerë totale prej rreth 618 mijë eurosh. Gjobat janë vendosur për shkelje të rregullave të sigurisë ushqimore, higjienës, etiketimit dhe mirëqenies së kafshëve. Nga Agjencia njoftojnë se kontrollet kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe garantimin e ushqimit të sigurt në treg.
 
“Theksi i kontrolleve u vendos në zbatimin dhe mirëmbajtjen e procedurave të Praktikës së Mirë Higjienike dhe Praktikës së Mirë Prodhuese, si dhe të sistemit HACCP për sigurinë ushqimore, në etiketimin e duhur të ushqimit, monitorimin e ushqimit nga prodhimi vendas dhe nga importi, si dhe në mbrojtjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve. Frekuenca e kontrolleve zyrtare u realizua në përputhje me kategorizimin e objekteve (operatorëve ushqimorë) sipas rrezikut, ku objektet e kategorizuara me rrezik të lartë u kontrolluan më shpesh sesa ato të kategorizuara si operatorë me rrezik të ulët.”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari. 
 
Gjithashtu gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 47.200 kontrolle në tregtinë e brendshme, brenda mbikëqyrjeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Si rezultat, janë nxjerrë 5.406 vendime, janë paraqitur 10 kallëzime për kundërvajtje dhe janë shqiptuar 1.073 urdhër-pagesa për kundërvajtje. Gjithashtu, janë paraqitur 8 kallëzime penale, të gjitha nga fusha e mbrojtjes shëndetësore dhe mirëqenies së kafshëve.
 
“Në kuadër të këtyre kontrolleve, u konfiskua dhe u asgjësua në mënyrë të sigurt ushqim i pasigurt (mish dhe produkte mishi, qumësht dhe produkte qumështi, fruta të thata, vezë, peshk, produkte ëmbëlsirash, si dhe pije alkoolike dhe joalkoolike) në një sasi totale prej 355.377 kilogramësh. Shuma totale e gjobave të shqiptuara në vitin 2025 arrin 618 mijë euro në kundërvlerë në denarë.”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari. 
 
Për më tepër, shërbimet inspektuese të Agjencisë realizuan 78.016 kontrolle të dërgesave të importit dhe atyre në tranzit, duke përfshirë ushqim me origjinë shtazore dhe joshtazore, produkte dhe materiale që vijnë në kontakt me ushqimin, ushqim për kafshë dhe kafshë të gjalla. Si të pasigurta, u asgjësuan 8 dërgesa me ushqim joshtazor në total 69.785 kilogramë, ndërsa një dërgesë u kthye në vendin eksportues. Po ashtu, tri dërgesa me ushqim shtazor u asgjësuan në sasi 22.061 kilogramësh, dhe gjatë kësaj periudhe u kthyen 16 dërgesa të tjera me ushqim shtazor si të pasigurta. Agjencia thekson se kontrollet dhe masat e asgjësimit janë të nevojshme për të garantuar sigurinë e ushqimit dhe mbrojtjen e qytetarëve.
 
FARIJE DAUTI BAKIU