Maqedoni

“Safe City”, vazhdon testimi i kamerave, Toshkovski: Testimi në fazë përfundimtare

25.01.2026 15:44

MPB-ja është drejt përfundimit të fazës së përgatitjeve për vënien në funksion të plotë të sistemit “Safe City”...

MPB-ja është drejt përfundimit të fazës së përgatitjeve për vënien në funksion të plotë të sistemit “Safe City”. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë inspektimit të punimeve të verifikimit dhe kalibrimit të kamerave. Ai tha se gradualisht po përmbyllet edhe kjo fazë dhe se më 1 shkurt gjithçka do të jetë gati për zbatimin e plotë të sistemit. Toshkovski theksoi se aktualisht po bëhet kontrolli i saktësisë së matjes së shpejtësisë, me ç’rast tha ai devijimet e konstatuara janë minimale dhe dukshëm nën kufirin e tolerancës së lejuar ligjore, gjë që garanton siguri dhe besueshmëri të sistemit.
 
“Jemi në fazën përfundimtare të testimit dhe verifikimit të shpejtësisë së lëvizjes në komunikacion përmes radarëve dhe kamerave të sigurisë. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme në kuadër të qytetit të Shkupit, konkretisht në pikën dalëse nga Shkupi drejt qytetit të Velesit. Në këtë segment, në të kaluarën, kemi pasur shumë aksidente dhe shkelje të rregullave të komunikacionit, pikërisht për këtë arsye janë vendosur kamerat në këtë lokacion. Devijimet e konstatuara gjatë matjes dhe verifikimit të shpejtësisë janë minimale, përkatësisht rreth 0.4 kilometra në orë, çka është dukshëm nën kufirin e tolerancës së lejuar ligjore.”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Kamerat e sistemit “Safe City” fillimisht do të funksionojnë në tre qytete, përkatësisht në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridoreve 8 dhe 10. Toshkovski paralajmëron se brenda më pak se gjashtë muajsh kamera të tjera do të vendosen në të gjithë territorin e vendit. 
 
“Sigurisht që këtë vit ky projekt do të zbatohet në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Paraprakisht, në kuadër të fazës së parë, do të vihen në funksion të plotë kamerat e sigurisë përgjatë Korridoreve 8 dhe 10. Me këtë rast, sot paralajmëroj se MPB-ja, shumë më herët sesa afati i paraparë prej gjashtë muajsh, do të mund t’i vë në funksion të plotë edhe në qytete të tjera të vendit kamerat që do të jenë të integruara në automjetet e siguruara për konstatimin e tejkalimit të shpejtësisë së lejuar dhe parkimit të gabuar.”, u shpreh Toshkovski.
 
Toshkovski i hodhi poshtë akuzat e opozitës se ky projekt është antikushtetues, duke theksuar se ai nuk është i drejtuar kundër asnjë përkatësie etnike. Sipas tij, interesi i vetëm është rritja e sigurisë në komunikacion dhe ulja e aksidenteve rrugore, e numrit të të lënduarve dhe e humbjeve të jetëve njerëzore.
 
REXHEP QAMILI