Maqedoni
Procesi eurointegrues gjatë vitit 2026, Neziri: I vështirë hapërimi drejt BE-së
25.01.2026 16:16
Procesi eurointegrues vështirë se do të zhbllokohet përgjatë vitit 2026...

Procesi eurointegrues vështirë se do të zhbllokohet përgjatë vitit 2026. Sipas njohësit të çështjes Xhelal Neziri, pengesa vjen edhe nga brenda edhe nga jasht, konkretisht nga mosmarrëveshja me fqiun lindor. Ai shton se kjo pasqyrohet nga mungesa e iniciativave për takime bilaterale me Bullgarinë, komunikime dhe biseda dypalëshe. Po ashtu, nuk ka asnjë lëvizje në qeverinë dhe kuvendin vendor, thekson Neziri.
“Është vështirë që vendi, këtë vit të mund ta përcjellë këtë problem, megjithatë shpresat ekzistojnë tek qeveria e re në Bullgari, ka gjasa që të jetë qeveri pro – evropiane, e cila më pastaj mund të reflektojë në dinamikat politike këtu në Maqedoninë e Veriut, për shkak se për një problem nevojiten dy palë. Nuk mund njëri të jetë problem tjetri jo. Andaj edhe nëse Bullgaria bëhet zgjidhje e problemit si vend brenda BE-së dhe më me ndikim, atëherë ajo zgjidhje, ai disponim reflektohet edhe këtu, dhe, Maqedonia e Veriut do të mund të ndërtojë ambient ku do të mund të bëhen ndryshimet kushtetuese, dhe, do të mund vendi të zhbllokojë procesin eurointegrues. Por, sërish them se gjasat që kjo të ndodhë janë fatkeqësisht të vogla.”, u shpreh analisti politik Xhelal Neziri.
Thelbi që e zhbllokon ngërçin eurointegrues qëndron në jetësimin e Konkluzave të Këshillit Evropian. Periudhë më parë, tendenca evropiane ishte që Shkupi dhe Tirana të ecnin në pako drejt integrimit, gjë që u shkëput nga viti 2022. Tani, shikuar në rrafsh rajonal, Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende me 3 ose 4 vite para anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
