Botë
Vrasja e emigrantit në SHBA ka nxitur valë protestash të dhunshme
25.01.2026 16:56
Vrasja e një burri 37-vjeçar nga oficerët e ICE në Mineapolis ka shkaktuar një valë protestash të mëdha...

Vrasja e një burri 37-vjeçar nga oficerët e Zbatimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në Mineapolis ka shkaktuar një valë protestash të mëdha dhe shqetësim në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Ngjarja, pjesë e një operacioni federal kundër imigrantëve, ka ardhur pas një serie incidentesh të ngjashme ku agjentë federalë kanë qëlluar dhe vrarë civilë, duke përfshirë edhe një grua më 7 janar, e cila ndezi zemërim publik dhe demonstrate në të gjithë SHBA-në. Prania e madhe e forcave federale, komentohet si një “okupim” që ka çuar në dhunë, ndërsa protestuesit kërkojnë llogaridhënie dhe ndalimin e politikave të ashpra të imigracionit.
“Kërkojmë urgjentisht një urdhër gjykate për ndalimin e lëvizjes së forcave federale. Ky operacion dëmton qytetin dhe ka rezultuar në disa vdekje tragjike.”, u shpreh kryebashkiaku i Mineapolisit, Xhakob Frej.
Ngjarja ka shkaktuar përplasje të drejtpërdrejtë mes demokratëve dhe Shtëpisë së Bardhë. Guvernatori i Minesotës, Tim Ualz, e akuzoi administratën Trump për nxitje të qëllimshme të kaosit në rrugë.
“Kjo ‘okupim federal’ prej kohësh nuk është më çështje ligji. Kjo fushatë mori edhe një jetë tjetër. Ne duam paqe, ata duan kaos. Do t’i kundërvihemi dhunës me rezistencë. Donald Trump, ju bëj thirrje edhe një herë t’i largoni këto forca nga Minesota.”, u shpreh guvernatori i Minesotës, Tim Ualz.
“Mesazhi ynë është i qartë: shërbimet federale duhet të largohen menjëherë. Ato nuk na bëjnë më të sigurt, por përhapin frikë. Do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion.”, u shpreh senatorja e Minesotës, Emy Klobuçar.
Nga Uashingtoni erdhi një reagim i ashpër. Presidenti Trump akuzoi autoritetet lokale për nxitje rebelimi, ndërsa Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, mbrojti legjitimitetin e agjentëve federalë.
“Ne thjesht duam t’i largojmë kriminelët nga vendi. Po të kishim bashkëpunim nga autoritetet lokale, nuk do të ishim në rrugë duke u përballur me rebelë të dhunshëm.”, u shpreh Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë këmbëngul se vrasja e 37-vjecarit ishte akt vetëmbrojtjeje, pamjet filmike tregojnë se ai filmonte me telefonin e tij para se të rrëzohej dhe të qëllohej. Autoritetet lokale ende nuk kanë akses në provat kyçe, të cilat janë sekuestruar nga FBI.
FARIJE DAUTI BAKIU
