Maqedoni

Transportuesit e mallrave në protestë, bllokojnë pikat kufitare

26.01.2026 09:04

Sot në mesditë, transportuesit do ta bllokojnë qarkullimin e mallrave në të gjitha pikat kufitare të vendit...

Për shkak të vendosjes së sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES) të Bashkimit Evropian, transportuesit nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, paralajmëruan se do të fillojnë një bllokadë shtatë ditore të pikave kufitare që çojnë drejt zonës Shengen. Kërkohet zgjidhje për problemin e evidentimit të qëndrimit në zonën Shengen, në përputhje me rregullin 90/180 ditë për shoferët profesionistë.

“Protesta në të katër shtetet do të fillojë në ora 12:00 për të gjitha automjetet që dalin nga vendi, ndërsa për automjetet që hyjnë në vend pikat kufitare do të mbyllen në ora 00:00, me qëllim që të gjithë ata që kthehen në shtëpi të mund të hyjnë dhe t’i bashkohen protestës. Kërkesa kryesore e transportuesve është të gjendet një zgjidhje që qëndrimi i shoferëve në zonën Shengen të mos evidentohet në ditë, ose t’u jepen viza të posaçme që nuk janë të kufizuara me numër ditësh.”, deklaroi Biljana Muratovska, sekretare e përgjithshme e Shoqatës së shoqërive transportuese tregtare të Republikës së Maqedonisë “Makam-Trans”.
 
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi më herët se prej një viti po alarmojnë për problemin me transportuesit dhe evidencën elektronike në BE, duke theksuar se bëhet fjalë për një problem të madh ekonomik që mund të kolapsojë plotësisht ekonominë e Maqedonisë dhe atë rajonale.