Maqedoni

Han takon liderët e katër partive në Shkup

02.06.2015 18:29

Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare më së voni deri në fund të muajit prill, 2016...

Deri atëherë vendi do të jetë në një periudhë tranzicioni, ku do të duhet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor, do të duhet të pastrohet lista zgjedhore, të fillojë pavarësimi i gjyqësorit dhe mediave.
 
Kështu kanë rënë dakord liderët e katër partive parlamentare gjatë takimit me eurokomisionerin për zgjerim, Johanes Han, dhe ambasadorin e ShBA-ve, Xhes Bejli.
 
“Ramë dakord që të parashohim një lloj periudhe tranzicioni. Dhe ramë dakord që deri në prill të vitit të ardhshëm duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, por me rëndësi është që vendi të përgatitet, të bëhet rishqyrtimi i Kodit Zgjedhor, revizioni i listës zgjedhore, respektimi i pakicave.Duhet të jetë shumë me rëndësi që të pranohen të gjitha rekomandimet që do të jepen nga Komisioni Evropian, që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit. Ramë dakord për të aplikuar metodologjinë që kryesisht përdorim kur bisedojmë kapitujt 23/24, edhe pse ende nuk kemi negociata, por që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias”- deklaroi komisioneri për zgjerim, Johanes Han.
 
Sipas Han, e gjithë kjo do të zbatohet dhe do të ndihmojë vendin për t’u modernizuar që të ketë perspektivë evropiane. Ai theksoi se kjo është përgjegjësi dhe obligim i brendshëm i subjekteve politike dhe institucioneve.
 
Sipas Han, takimi është zhvilluar në një klimë konstruktive mes të gjithë partnerëve të përfshirë. Marrëveshja finale do të bëhet në Bruksel javën e ardhshme, me të cilën vendi do të ecë përpara.
 
Han tha se kjo krizë duhet të shfrytëzohet si mundësi për të modernizuar vendin. Ai ftoi konkurrentët politik që të jenë korrekt, duke u rikujtuar se Maqedonia është në qendër të vëmendjes së faktorit ndërkombëtar. 
 
“Pas zgjedhjeve të parakohshme, kultura politike do të jetë evropiane dhe do të ndjek standardet evropiane”- theksoi Han.
 

SHPËTIM NUREDINI