Maqedoni

Projekti “Qytet i Sigurt”, Sela dorëzon nismë kundër ligjit

26.01.2026 13:50

ASH krahu i Ziadin Selës dorëzoi në gjykatën kushtetuese nismën kundër ndryshimeve të fundit të ligjit për kundërvajtje...

ASH krahu i Ziadin Selës dorëzoi në gjykatën kushtetuese nismën kundër ndryshimeve të fundit të ligjit për kundërvajtje, nëpërmjet të cilit zbatohet projekti “Qytet i Sigurt”. Sipas Selës projekti ka shumë dilema, pasi u miratua me procedurë të shpejtë pa debat publik. Sipas tij zbatimi i ligjit është i pa drejtë si në aspektin social po ashtu edhe të shtrirjes, andaj dhe pret reagimin e kushtetues para zbatimit të projektit më 1 shkurt.
 
“Nuk mund të ndahet implementimi i këtij projekti me zona të caktuara për shkak se kjo lloj ndarje të jep të kuptosh dhe të besosh dhe të dyshosh që ka për qëllim zhvatjen e një kategorie të qytetarëve, për shkak të probabilitetit më të madh që ka ky projekt. Aq më tepër në qoftë se e shihni implementimin dhe përgatitjen e atyre kamerave që do të bëjnë regjistrimet dhe si pasojë e së cilës do të jenë edhe dënimet, brenda qytetit të Shkupit janë të koncentruara sidomos në Çair, sidomos në vendet në të cilat infrastruktura horizontale dhe vertikale të shenjave të komunikacionit është shumë për të dëshiruar.”, u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
Nisma kundërshton edhe dënimet, përfshi edhe parkimin jo të drejtë, ndërkohë që shumë qytetet përballen me mungesë të hapësirave për parkim. Sela thotë se ka mungesë të respektimit të gjuhëve, ndërkohë që dënimet eventuale nuk do të vijnë në adresë të banimit.
 
“Jemi të obliguar që të kemi një adresë në të cilën do të na dërgohen edhe paditë për kundërvajtje, dënime etj, por s’jemi të obliguar të mbajmë numra telefoni. Nuk jemi të obliguar të kemi adresa emaili. Në qoftë se jemi të obliguar për këto gjëra, atëherë do të duhet që sa herë të ndërojmë numrat e telefonit të shkojmë të paraqitemi në polici.”, tha Sela.
 
Edhe krahu i Taravrait ka paralajmëruar kontestim të ligjit. Në seancën kuvendore, përpos ASH-së kundër ligjit votuan edhe deputetët e BDI-së. Veç VMRO – DPMNE-së, koalicionit VLEN dhe "E Di", për arritjen e 81 votave mbështetje dhanë deputeti Bejxhan Iljaz, deputetët e Së Majtës si dhe ish deputeti i ASH-së së Selës, tani deputet i pavarur Ilir Demiri. Sela distancohet nga deputeti Demiri dhe thotë se ai është i lirë të veprojë si të dojë që nga momenti i deklarimit të tij si deputet i pavarur.
 
MERAL ISMAILI