Rajon

Vengu: Paqja dhe siguria nuk janë më të mirëqena

26.01.2026 14:09

Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nuk kanë nevojë t’i marrin leje askujt për të nënshkruar marrëveshjen në fushën e mbrojtjes....

Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nuk kanë nevojë t’i marrin leje askujt për të nënshkruar marrëveshjen në fushën e mbrojtjes. Kështu ka deklaruar Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, duke bërë të ditur se ftesa për këtë marrëveshje i ishte bërë edhe Serbisë, por ajo nuk ka dhënë përgjigje, por ka shprehur një sens paniku nga kjo marrëveshje.
 
“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ iu them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. Ja u merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese. Mund t’iu them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë. Me Kosovën kemi dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara.”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu.
 
Minsitri Vengu tha se kjo marrëveshje erdhi pasi tre vendet lexojnë rreziqe dhe kërcënime në rajon dhe se tre vendet kanë nevoja të ngjashme për sa i përket rritjes së kapaciteteve të sigurisë. Minsitri shqiptar i mbrojtjes njëherit theksoi se “Paqja dhe siguria nuk janë më të mirëqena”, zhvillimet gjeopolitike, tensionet rajonale, kërcënimet hibride dëshmojnë cdo ditë se paqja dhe stabiliteti, kërkojnë investime të përditshme. Evropa juglindore, është një teatër dytësor për narrativa, influencë dhe ndërhyrje hibride, thekson Vengu sipas të cilit Ballkani mund të mos jetë fushë betejë tankesh por është fushë betejë perceptimesh dhe influencash nga palë të treta.
 
GYLTENE SINANI