Kuvend, Avokati i Popullit Faton Selami jep betimin solemn
Rikthimi i besimit në institucionin e Avokatit të Popullit...

Rikthimi i besimit në institucionin e Avokatit të Popullit, bashkëpunimi dhe plotësimi kadrovik do të jenë në fokusin e Avokatit të ri të Popullit, Faton Selami, i cili sot dha deklaratën solemne para Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, me rastin e marrjes së detyrës.
Selami tha se do të punojë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe me përkushtim maksimal ndaj qytetarëve, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet.
Në pyetjen se si do ta menaxhojë situatën kur institucioni i Avokatit të Popullit shpesh është përballur me mungesë vullneti për zbatimin e rekomandimeve, tha se kjo është paraparë në propozim ndryshimet e Ligjit për Avokatin e Popullit, respektivisht që të ketë mundësi të shqiptojë edhe masa për kundërvajtje.
“Në top prioritetet është rikthimi i besimit në institucionin e Avokatit të Populli, duhet të punohet që të ekipohemi në mënyrë kadrovike pasi që institucioni punon me një kapacitet 40% të administratës dh.m.th, duhet të ketë edhe punësime të reja. Gjithashtu, në Kuvend me badenter duhet të zgjidhen edhe zëvendësit e Avokatit të Popullit. Në kuvend duhet të kalojnë edhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Avokatin e Popullit. Unë do të kërkoj që të parashihen gjoba në qoftëse nuk respektohen rekomandimet e Avokatit të Popullit.” – tha Avokati i ri i Popullit, Faton Selami.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, uroj që Selmani të jetë në shërbim të popullit dhe të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve.
“Uroj dhe kërkojmë unë dhe të gjithë qytetaët që të punojë në interes të qytetarëve, të institucionit, t'i përfaqësojë qytetarët, t'i mbrojë qytetarët, të drejtat e tyre dhe ta kthejë autoritetin e lartë të Avokatit të Popullit, ashtu siç e ka të paraparë Kushtetuta e vendit tonë.” – deklaroi Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Faton Selami vjen në vend të Avokatit të mëparshëm të Popullit, Naser Ziberi, të cilit më 12 korrik 2025 i përfundoi mandatin për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim.
Avokati i ri i Popullit është jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike, me provim të dhënë gjyqësor dhe noterial. Mandati i Avokatit të Popullit zgjat tetë vjet, me mundësi për edhe një rizgjedhje tjetër, në përputhje me Ligjin dhe procedurat e Kuvendit. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
