Transportuesit bllokojnë kufijtë, Muratovska: Të kenë viza speciale, jo të trajtohen si turistë
Kompanitë transportuese kanë vendosur bllokada në kufi...

Kompanitë transportuese kanë vendosur bllokada në kufij, duke protestuar kundër sistemit të ri elektronik EES që kufizon qëndrimin e shoferëve profesionistë në zonën Shengen.
Kryetarja e “Makam-Trans”, Biljana Muratovska, tha se protestat tregojnë pasojat pas 10 prillit dhe kërkoi që transportuesit të kenë viza speciale me hyrje-dalje të pakufizuara, jo të trajtohen si turistë.
“Me këtë vendim Bashkimi Evropian dëshiron të na ndalojë të punojmë. Kur e dimë se me secilin shtet kemi të nënshkruar marrëveshje bilaterale për transport, tani na thonë se kjo nuk vlen, keni leje, por nuk mund të punoni. Po bëhet diskriminim, sepse nga numërimi i ditëve të qëndrimit janë të përjashtuara të gjitha llojet e tjera të transportit, përkatësisht ai detar, hekurudhor dhe ajror. Pa ne, dyqanet do të mbeten bosh. Ne do të protestojmë për shtatë ditë për të dërguar një sinjal, por pas 10 prillit kamionët do të qëndrojnë, sepse nuk do të ketë kush t’i ngasë”. – tha Kryetare e Shoqatës së Transportit “Makam Trans”, Biljana Muratovska.
Nikollovski: BE-ja të gjejë zgjidhje
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ishte prezent në bllokadën në Bllacë, mbështeti transportuesit dhe tha se protesta paralajmëron pasojat e sistemit elektronik pas 10 prillit.
Ai bëri apel që BE-ja të rishikojë mesazhin e transportuesve ballkanikë dhe të gjejë një zgjidhje.
“Ka tre opsione se si mund të zgjidhet ky problem: së pari, të shtyhet zbatimi i sistemit të ri elektronik për transportuesit; së dyti, të rritet leja e qëndrimit në 250 ditë; dhe së treti, transportuesit të mos trajtohen si turistë, por si profesionistë, dhe me leje pune të mund të transitohen. Në të kundërt, kjo do të ketë pasoja jo vetëm për ekonominë maqedonase, por edhe për vendet e zonës Shengen”. – deklaroi Zv.Kryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
Përveç pikës kufitare Bllacë, u bllokuan edhe pikat kufitare Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë dhe Stenjë.
Protesta po zhvillohen edhe në Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi, ndërsa sot u bashkuan edhe transportuesit nga Turqia.
Protestat do të zgjasin një javë dhe lidhen vetëm me transportin e mallrave, ndërsa bëhen përjashtime për kamionët me ilaçe, kafshë të gjalla, eksplozivë dhe municion.
Zona Shengen përbëhet nga 29 shtete evropiane që kanë hequr kontrollet pasaportore dhe kufitare në kufijtë e tyre të përbashkët.
Nga këto, 25 janë anëtare të BE-së, ndërsa katër (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra) bëjnë pjesë në Asociacionin Evropian për Tregti të Lirë. (Armend Murseli, TVM2)
