Maqedoni
Vazhdon bllokada e transportuesve, kërkojnë zgjidhje nga BE-ja
27.01.2026 09:07
Bllokadat e pikave kufitare në vend dhe rajon vazhdojnë edhe sot...

Bllokadat e pikave kufitare në vend dhe rajon vazhdojnë edhe sot, si pjesë e protestës së transportuesve me kamionë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Protesta është kundër zbatimit të sistemit EES për qëndrimin në zonën Shengen dhe rregullit 90/180 ditë, i cili, sipas tyre, po e paralizon punën e tyre.
Pavarësisht bllokimit të qarkullimit të mallrave në pikat kufitare drejt zonës Shengen, i cili sipas paralajmërimeve do të zgjasë të paktën shtatë ditë, qarkullimi i udhëtarëve po zhvillohet pa pengesa.
Transportuesit vlerësojnë se sistemi EES i diskriminon ata në raport me transportuesit nga BE-ja dhe kërkojnë status të veçantë, duke mos u trajtuar si turistë gjatë hyrjes në bllok. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i RMV-së ka deklaruar se vendosja e sistemit EES për transportuesit duhet të shtyhet dhe e për këtë kanë alarmuar në BE, por që nuk hasin mirëkuptim. Nga Brukseli kanë thënë se e ndjekin me vëmendje situatën dhe se po punojnë për zgjidhje.
