Botë
ShBA – Mineapolis, agjentët federalë do të tërhiqen nga qyteti
27.01.2026 13:44
Agjentët federalë të stacionuar në Mineapolis do të fillojnë të largohen nga qyteti...

Agjentët federalë të stacionuar në Mineapolis do të fillojnë të largohen nga qyteti, kanë konfirmuar zyrtarët e qytetit. Administrata Tramp po përpiqet të qetësojë një valë zemërimi publik për vrasjen e 37-vjeçarit, Aleks Preti, gjatë një operacioni për zbatimin e ligjit për imigracionin. Në të njëjtën kohë, shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë ka shkarkuar komisionarin e patrullës kufitare Bovino dhe e zëvendësoi atë me Homanin.
"Z. Homan do të vazhdojë të zbatojë ligjet e imigracionit të vendit tonë, veçanërisht deportimin e kriminelëve më të këqinj të Minesotës që kanë kryer vepra të dhunshme. Shumë prej tyre kanë dënime për sulme, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.", - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
Pavarësisht lajmit se Bovino dhe disa agjentë do të largohen, tensionet në Mineapolis mbeten të larta, me demonstrata të reja të planifikuara për ditët në vijim. Prokurori i përgjithshëm i Minesotës tha se operacionet e forcave federale në shtet nuk kanë të bëjnë me imigracionin, por me hakmarrjen nga presidenti i ShBA-së, Tramp.
"Kjo është shpërndarja më e madhe e oficerëve të imigracionit në një vend në të njëjtën kohë, në një shtet që nuk është as në kulmin e imigracionit. Çfarë e justifikon këtë fluks joproporcional? Asgjë legjitime, por presidenti ka qenë i qartë. Ne lutemi për lehtësimin që shteti i Minesotës ka nevojë nga gjykata.", - theksoi prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keit Ellison.
Aleks Preti është banori i dytë i Mineapolisit që u qëllua dhe u vra nga oficerët federalë të imigracionit, pas incidentit të 7 janarit që vrau Rene Nikoll Gode. Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se agjentët qëlluan në vetëmbrojtje dhe Preti kishte një armë dhe u rezistoi përpjekjeve të tyre për ta çarmatosur. Dëshmitarët, zyrtarët lokalë dhe familja e Pretit kanë mohuar akuzat, duke thënë se ai mbante një telefon, jo një armë.
FITORE NAGAVCI
