Maqedoni

Protesta për paga më të larta, LSM-ja kërkon minimum 600 euro

27.01.2026 13:55

Trendafillov u bëri thirrje punëtorëve, pensionistëve dhe qytetarëve të dalin masivisht në protesta për rritjen e pagave...

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, u bëri thirrje punëtorëve, pensionistëve dhe qytetarëve të dalin masivisht në protesta për rritjen e pagave, duke theksuar se protesta është e vetmja rrugë për zgjidhje. Ai tha se rritja e parashikuar prej 25 eurosh është e papranueshme, pasi nuk përballon rritjen e ndjeshme të kostos së jetesës dhe nuk plotëson nevojat e punëtorëve.
 
“Kjo protestë është për pagat tuaja, sepse ato nuk mjaftojnë për të kaluar muajin. Kjo protestë është për padrejtësinë, sepse ata marrin paga dhjetë herë më të larta se pagat tuaja. Kjo protestë është, sepse ata vetes i siguruan rritje prej 250 eurosh, ndërsa për ju as 25 euro. Kjo protestë është për fëmijët tuaj, për vajzat, djemtë, nipërit dhe mbesat tuaja, me qëllim që familjet tona t’i ruajmë në vendlindje dhe të mos shpërngulen jashtë. Kjo protestë është për shkak të qëndrimit injorues të Qeverisë dhe të punëdhënësve, të cilët nuk u dakorduan t’i rrisin pagat tuaja, ashtu siç meritoni dhe kërkoni. Kjo protestë është për rritjen e të gjitha pagave të të punësuarve për së paku 6 mijë denarë, përmes rritjes së pagës minimale në së paku 600 euro.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
 
Trendafillov thotë se disa të punësuar në sektorin publik janë kërcënuar që të mos marrin pjesë në protesta, duke përmendur Postën e Maqedonisë së Veriut, ku, sipas tij, një drejtor ka ushtruar presion ndaj punonjësve që të mos protestojnë.
 
“I grumbullojmë të gjitha informacionet dhe të enjten do t’i shpalosim me emër, mbiemër dhe fotografi, si dhe kërcënimet dhe kushtëzimet që u bëhen punëtorëve përmes SMS-porosive që u dërgohen atyre. Punëtorët të mos frikësohen nga askush. Postën e Maqedonisë do ta përmendim si shembullin e parë, pasi kolegët tanë aty protestuan të parët, sepse deri më datë 15 nuk i morën pagat e tyre. Njëri prej drejtorëve të saj më ka kërcënuar personalisht mua, si kryetar i LSM-së, se do të më padisë vetëm për të më heshtur dhe për të minuar protestën.”, - theksoi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
 
TVM2 kontaktoi drejtorin e përgjithshëm të “Postës së Maqedonisë”, Orhan Kurtishi, i cili i hedh poshtë akuzat e sindikalistëve, duke i cilësuar ato si të pavërteta. 
 
“Realisht akuzat nuk kanë bazë për shkak se në bashkëpunim me Sindikatën ne kemi arritur dy-tre herë të kemi marrëveshje për problematikat që i kemi pasur në të kaluarën, si me problematikën e fundit për mosarritjen në kohë të pagesave, apo të kryerjes së obligimeve për rrogat. Ne kemi pasur marrëveshje që ditën e nesërme që do të shlyhen pagat dhe ka qenë që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe jo të zhvillojnë protesta masive në të gjithë Maqedoninë. Ato e kanë ditur se atë ditë rroga do të kenë dhe për atë mendoj se kjo ka qenë politikisht e motivuar që të dalim sa më keq para qytetarëve. Nuk kam informacione të sakta se është bërë presion që të mos organizohen punëtorët për të protestuar dhe jam i sigurt se kjo nuk ka ndodhur deri tani.”, - u shpreh drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Orhan Kurtishi.
 
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski thotë se sindikatat kanë të drejtë të protestojnë dhe se paga minimale do të rritet nga muaji mars. Ai përsëriti se Qeveria nuk është kundër rritjes më të madhe të pagës minimale, por vetëm nëse sindikatat dhe punëdhënësit paraprakisht dakordohen për këtë.
 
“Çdo njeri ka të drejtë të protestojë. Ne pagën minimale do ta rrisim në përputhje me ligjin në muajin mars, respektivisht me pagat që punëtorët do t’i marrin në muajin prill për muajin mars. Ne kemi thënë se do të mbështesim çdo zgjidhje që sindikatat do ta arrijnë me punëdhënësit.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Protesta e LSM-së është paraparë të nisë nga objekti i LSM-së, ndërsa marshimi do të vazhdojë para godinës së Kuvendit, Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe më pas vazhdojnë para Qeverisë. LSM-ja kërkon rritjen e pagës minimale në 600 euro, si dhe rritje lineare të të gjitha pagave të tjera në vend.
 
REXHEP QAMILI