Maqedoni
Vazhdon bllokada në pikat kufitare, transportuesit kërkojnë të drejtat e tyre, Mickoski: Pres zgjidhje për t’u dalë në ndihmë transportuesve
27.01.2026 14:41
Bllokada e trafikut të mallrave në pikat kufitare vazhdon edhe sot...

Bllokada e trafikut të mallrave në pikat kufitare në Maqedoninë e Veriut vazhdon edhe sot me intensitet të plotë, me mbështetjen e transportuesve nga rajoni. Ata kërkojnë zgjidhje urgjente për rregullin 90/180 ditë, i cili me sistemin e ri EES rrezikon sektorin e transportit. Kryeministri Mickoski tha se çështja e qëndrimit në zonën Shengen pritet të rihapet në bisedimet me BE-në.
“Pres që kjo të zgjidhet. Dje kërkova një bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Evropian, por ajo zyrtarisht ndodhet në Indi. Pres që këto ditë ta rihapim përsëri këtë temë dhe, së bashku me kolegët nga rajoni, ta vendosim këtë çështje në tryezë. Ne kërkojmë një variant për t’u dalë në ndihmë transportuesve.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, paralajmëron se Brukseli duhet urgjentisht të gjejë një zgjidhje, përndryshe pasojat ekonomike për vendin dhe rajonin do të jenë shumë të rënda.
“Nëse Bashkimi Evropian është i sinqertë në qëllimin për integrimin e rajonit, nuk do të lejojë zbatimin e masave që do ta dëmtonin kaq rëndë ekonominë dhe do të shkaktonin kolaps të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit. Nëse zbatohen masat për transportuesit dhe tarifat për industrinë e çelikut, çmimi që do të paguajmë do të jetë katër deri në gjashtë herë më i lartë sesa mjetet që do t’i merrnim nga Plani i Rritjes, madje edhe në kushte më optimiste.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Revolta e transportuesve është e dukshme në çdo vendkalim kufitar, përfshirë Qafë Thanën, ku numri i kamionëve është rritur ndjeshëm.
“Vendosëm të gjithë që të dërgojmë porosi se edhe ne jemi pjesë e Evropës, edhe pse jemi në Ballkan, të na mundësojnë që pa pengesa ta bëjmë punën si duhet, gjegjësisht të na japin viza, të themi të punës, me të cilat vozitësit tanë të mund ta bëjnë ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre.”, - theksoi koordinatori i protestave në Qafë Thanë, Mitko Kërstanovski.
“Për kompanitë e transportit ky sistem do të sjellë shpenzime të mëdha, pasi që, ja edhe vet kjo bllokadë e kufijve dhe jo puna gjatë këtyre dy ditëve, nuk e dimë sa do zgjasë kjo bllokadë, na ngarkon kamionët, nuk funksionojnë, ndërsa shpenzimet vazhdojnë.”, - u shpreh pronari i një kompanie transportuese, Zllatko Burevski.
Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë tha se dëmet dhe pasojat do të numërohen në miliona.
“Çdo kompani prodhuese ka gjoba dhe penalitete për mallra të papërçuara që variojnë nga 10.000 deri në 50.000 euro në ditë. Për më shumë se dy vjet, biznesmenë nga Ballkani Perëndimor – nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi – janë bashkuar për t’ia vënë në dukje Evropës se ky është një problem i madh dhe se edhe kompanitë e BE-së që prodhojnë në Ballkanin Perëndimor e theksojnë këtë, por pa pasur zgjidhje.”, - u shpreh kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadesh.
Ndryshe nga trafiku i mallrave i bllokuar në pikat e kalimit drejt zonës Shengen, i cili, sipas paralajmërimeve, do të zgjasë të paktën 7 ditë, trafiku i udhëtarëve funksionon pa pengesa.
ARMEND MURSELI
