Maqedoni
BDI akuzon Mexhitin për kazinotë, VLEN-i thotë se ata vetë e kanë promovuar bixhozin
27.01.2026 14:58
BDI akuzon Mexhitin se gjatë fushatës zgjedhore bëri premtime për të cilat vetë e dinte se nuk do t’i realizonte.

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon kryetarin e Komunës së Çairit dhe njërin nga liderët e Koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, se gjatë fushatës zgjedhore bëri premtime për të cilat vetë e dinte se nuk do t’i realizonte. Sipas BDI-së, një nga premtimet kryesore të Mexhitit ishte mbyllja e kazinove në Maqedoninë e Veriut, ndërsa lufta kundër këtij fenomeni u paraqit si prioritet i angazhimit të tij politik.
“Sot, kur ai është në pushtet qendror dhe lokal, ky premtim dhe kjo besë e dhënë janë harruar. Kazinotë funksionojnë lirshëm, pa asnjë pengesë dhe vazhdojnë të rrjepin xhepat e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Jo vetëm që nuk janë mbyllur, por ato vazhdojnë të zgjerojnë biznesin e tyre edhe në Çair, komunën që udhëhiqet nga vetë Izet Mexhiti. Që ironia dhe tallja me qytetarët të jetë edhe më e madhe, jo vetëm për qytetarët, por edhe për anëtarët e partisë së tij, ai rehatoi një nga të afërmit e tij në Lotarinë e Maqedonisë, duke i dhënë post në bordin drejtues. Asgjë e papritur, kur dihet se të gjitha postet e rëndësishme dhe ku ndahen paratë ndahen për familjarët.”, thanë nga BDI.
Por, nga VLEN-i rikujtojnë BDI-në, se çështja e kazinove për ta është autogol. Sipas tyre, ata vetë e mbollën farën e bixhozit dhe të kazinove në të gjithë shoqërinë dhe kjo dihet botërisht.
“Ajo që i dhemb vërtet BDI-së është se Izet Mexhiti i shkuli nga i gjithë Shkupi me rrethinë figurat e tyre kryesore, Artan Grubin, Bujar Osmanin, Blerim Bexhetin dhe të gjithë funksionarët e tyre. Prandaj sot flasin me mllef, jo sepse u zgjuan papritmas kundër bixhozit. Ne flasim me punë. Krenohemi me mbylljen e 33 faqeve të lojërave të fatit online dhe me faktin se numri i faqeve të ndaluara është çuar në 307.”, thuhet komunikatën e VLEN-it.
Sipas VLEN-it, çdo reagim i BDI-së sot është vetëm zhytje edhe më e thellë në llumin që vetë e kanë ujitur prej vitesh.
FITIM KRYEZIU
