Maqedoni

Pozita e kryeprokurorit, gjykatës dhe prokurorë, pesë kandidatë në garë

27.01.2026 15:17

Pesë kandidatë janë paraqitur në thirrjen e Kuvendit për Prokuror Publik të Maqedonisë...

Pesë kandidatë janë paraqitur në thirrjen e Kuvendit për Prokuror Publik të Maqedonisë, e cila përfundoi mbrëmë në mesnatë, por për mbylljen përfundimtare të listës lihet hapësirë prej 2–3 ditësh për aplikime të mundshme që janë dërguar me postë në kohë, por ende nuk kanë mbërritur. Në listën e kandidatëve gjendet ushtruesja e detyrës së kryeprokurorit Anita Topolova Isajllovska, më pas prokurorja publike Lençe Ristovska, e cila e ka paraqitur kryeministrin Hristijan Mickoski në Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe ka ngritur padi kundër VMRO-DPMNE-së. Prokurorja me përvojë shumëvjeçare, Lidija Raiçeviq, kandidon për herë të dytë për prokurore republikane. Ndër të paraqiturit është edhe gjyqtari Nenad Saveski, i cili është gjyqtar në Gjykatën Penale që nga viti 2016, ndërsa pak më herët, sipas biografisë së publikuar, ka punuar si prokuror. Si kandidat është paraqitur edhe ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, i cili megjithëse u shkarkua nga funksioni i gjyqtarit dhe u dënua. Akuzat më serioze kundër tij kishin të bënin me keqpërdorimin e Sistemit të Automatizuar për Shpërndarjen e Lëndëve Gjyqësore (AKCMIS). Kandidatët zotohen se do të punojnë në mënyrë profesionale dhe të përkushtuar për të rritur efikasitetin e Prokurorisë Publike.
 
"Programi im synon konsolidimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe efikasitetit të Prokurorisë Publike, me theks të veçantë në rikthimin e besimit të qytetarëve, transparencën dhe luftën e vendosur kundër korrupsionit. Përparësi do t’i jepet forcimit të përgjegjësisë në punë, mbrojtjes së integritetit të prokurorëve publikë dhe depolitizimit të Prokurorisë, në mënyrë që ajo të veprojë me të drejtë, në mënyrë të pavarur dhe objektive. Me anë të teknologjive moderne dhe proceseve të përmirësuara do të rritet transparenca, do të reduktohet mundësia për ndikime të paligjshme dhe presione.”, është shprehur prokurorja publike, kandidatë për kryeprokurore, Lençe Ristovska. 
 
“Vizioni im, parimet për punë do të jenë që Prokuroria Publike duhet të jetë e pavarur, profesionale, institucion modern, e cila do të jetë garanci për sundimin e ligjit, sigurisë juridike të qytetarëve dhe barazi para ligjit. Ky është synimi kryesor dhe synim i BE-së. Dua të them se më e rëndësishmja është kthimi i besimit të qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.”, - theksoi kandidati, Vlladimir Pançevski.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Qeveria do ta japë qëndrimin e saj lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të ri Publik Republikan, pasi për këtë të shprehet Këshilli i Prokurorëve Publikë.
 
“Tani procedura është që të shprehet Prokuroria Publike, përkatësisht Këshilli i Prokurorëve Publikë, të presim që ata të japin mendimin e tyre dhe më pas Qeveria do të dalë me qëndrimin e saj.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, Qeveria duhet të kërkojë mendim për të gjithë kandidatët nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, përkatësisht nuk mund të zgjidhet kandidat nëse Këshilli nuk e vlerëson pozitivisht. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjë kandidat, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozim dhe i propozon Kuvendit shpalljen e një konkursi të ri. Me 61 vota të deputetëve duhet të zgjidhet Prokurori i ri Publik i Shtetit.
 
FLORIJE KAMBERI