Janë rinumëruar 75% të votave në Kosovë, a do të rrezikohet zgjedhja e presidentit?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se deri më tani janë rinumëruar mbi 75 për qind e vendvotimeve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Nga KQZ-ja shpresojnë se ky proces do të përmbyllet deri në fund të këtij muaji dhe do t’i shpallë rezultatet përfundimtare.
Por, para certifikimit të rezultatit, KQZ-ja do të duhet t’i presë afatet ligjore për ankesa.
“Shpallja e rezultatit nuk nënkupton certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, sepse sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtij rezultati, fillimisht në PZAP dhe pastaj palët mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, nëse janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së. Pra, KQZ-ja duhet të presë të kalojnë këto afate kohore para se të bëjë procedime të tjera. Koha se sa duhet që KQZ-ja ta certifikojë rezultatin përfundimtar, pasi të bëjë shpalljen e këtij rezultati, varet krejtësisht nga ankesat të cilat mund të paraqiten ndaj rezultatit përfundimtar.”, - theksoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Por, derisa vazhdon rinumërimi i votave dhe procedurat për shpalljen e rezultateve, po afrohet edhe afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pasi mandati i Vjosa Osmanit si presidente do të përfundojë më 4 prill të këtij viti, ndërsa sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjidhet së paku 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale.
Kjo do të thotë se Kuvendi duhet të konstituohet para 4 marsit, në të kundërtën nuk do të mund të zgjidhet presidenti dhe Kosova do të duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kjo do ta vendoste Kosovën në pozitë të vështirë, pasi do të mbetej pa buxhet dhe pa miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare. (Gyltene Sinani, TVM2)
