Botë
Greqia dorëzon planin e reformave
02.06.2015 19:58
Qeveria greke u ka paraqitur kredidhënësve europianë një plan të ri reformash...

Përmes këtij plani, Athina shpreson të përfitojë këstin e fundit të kredisë prej 7.2 miliardë euro, nga paketa antikrizë 240 miliardëshe e vitit 2010.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri grek Aleksis Cipras, i cili tha se ky plan, nëse miratohet, do t’u japë fund ndasive në Europë. Duke e konsideruar planin e tij si “realist”, Cipras tha se tashmë i takon klasës politike europiane të vendosë nëse do t’a nxjerrrë Greqinë nga kriza.
Plani iu dërgua palës europiane në orët e vona të së hënës, në të njejtën kohë kur kancelarja gjermane Angela Merkel e presidenti francez Fransua Hollande, zhvillonin një takim urgjent në Berlin me kreun e BQE Mario Dragi e atë të FMN Kristine Lagarde dhe presidentin e Komisionit Europian Zhan Klod Junker.
Çështja kryesore e diskutimit ishte kriza greke. Sipas agjencisë Bloomberg, në Berlin është diskutuar për disa direktiva, të cilat Greqia duhet t’i ndjekë për të dalë nga kriza.
Por kryeministri grek tha se nuk ishte njoftuar për këtë takim. Sipas tij, çdo propozim është i panevojshëm, përderisa Athina ka parashtruar një plan konkret.
Kjo javë është vendimtare për Greqinë. Qeveria e Ciprasit duhet t’i shlyejë të premten FMN-së, një këst prej 300 mln eurosh.
Athina e ka bërë të qartë, se pa ndihmën 7.2 miliardë euroshe, kësti nuk mund të paguhet. Pamundësia për të paguar e çon Greqinë drejt falimentimit dhe daljes nga zona Euro.
Pasojat do të jenë fatale për të gjithë Eurozonën dhe për këtë edhe vetë Brukseli është i vetëdijshëm.
