Ekonomi
LSM sot në protestë për rritjen e pagës minimale dhe të gjitha pagave të tjera
28.01.2026 09:42
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot do të mbajë protestë për rritjen e pagës minimale në të paktën 600 euro...

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot do të mbajë protestë për rritjen e pagës minimale në të paktën 600 euro dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera për 100 euro. Në protestë, e cila do të fillojë në orën 17:00, do të shprehet pakënaqësia për mosrealizimin e kërkesave për rritjen e pagave. Protesta do të nisë para Shtëpisë së Punëtorëve, do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë.
Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, dje në një konferencë për shtyp deklaroi se protesta po organizohet për shkak të qëndrimit injorues të Qeverisë dhe punëdhënësve, të cilët nuk i rritën pagat e punëtorëve.
Sipas LSM-së, ka shumë argumente për rritjen e pagave, duke filluar nga inflacioni e deri te rritja e vlerës së shportës minimale sindikale në muajin janar për një mijë denarë. Sipas tij, nuk ka më justifikime, pasi rreth 200 mijë persona janë të varfër dhe jetojnë me paga nën 30.000 denarë.
Protestës do t’i bashkohet edhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatikë (SPGM). Në një njoftim dërguar mediave, SPGM u bëri thirrje anëtarëve të saj të japin mbështetje të plotë për kërkesat për rritjen e pagës minimale, por edhe të gjitha pagave të punëtorëve në vend.
