Maqedoni
Transportuesit në ditën e tretë të protestës
28.01.2026 13:52
Për të tretën ditë me radhë, qarkullimi i mallrave në pikat kufitare drejt zonës Shengen mbetet plotësisht i ndërprerë...

Për të tretën ditë me radhë, qarkullimi i mallrave në pikat kufitare drejt zonës Shengen mbetet plotësisht i ndërprerë për shkak të protestës së transportuesve të kamionëve nga Ballkani Perëndimor. Transportuesit nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina kërkojnë nga Bashkimi Evropian ndryshimin e rregullit për evidencën elektronike të qëndrimit, përkatësisht kufizimin prej 90 ditësh qëndrimi brenda një periudhe prej 180 ditësh. Transportuesit theksojnë se përskaj kushteve të vështira gjatë udhëtimit për ushqim dhe qëndrim, tani duhet të protestojnë dhe në temperatura të ulëta të kërkojnë drejtësi.
“Gjithkund ku të shkojmë është problem. Ne flemë në kabinë të kamionit në kohë të ftohtë. Mbrëmë këtu në Deve Bair ishte -8 gradë Celsius. Kjo punë është e rëndë për shoferët, ka lloj-lloj problemesh gjatë rrugës.”, - theksoi transportuesi, Sasho Canevski.
Bllokadat tashmë po shkaktojnë pasoja serioze ekonomike, theksojnë transportuesit. Kolegë të tyre, për shkak të tejkalimit të afatit, janë deportuar. Transportuesit paralajmërojnë se protesta do të vazhdojë derisa të marrin një përgjigje konkrete. Sipas statistikës, protestën e mbështesin rreth 75 mijë shoferë.
“Gjysma e këtyre kamionëve do të mbesin në Maqedoni, do të zvogëlohet fuqia punëtore, do të mbesin shoferë pa punë dhe firmat do të humbin. E gjithë ekonomia në Maqedoni do të ngecë.”, - u shpreh transportuesi, Aleksandar Cvetanovski.
“Neve në Perëndim na trajtojnë si migrantë. Na zbresin prej kamionëve, na fusin në paraburgim dhe na kthejnë prapa. Kamionët mbesin lart me gjithë ngarkesën që e kanë e që mund të kushtojë rreth 300 mijë euro.”, - theksoi transportuesi, Bllage Peshevski.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë takimit të punës me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kroacisë dhe ministrin për Çështje Detare, Transport dhe Infrastrukturë, Oleg Butkoviq, hapi çështjen e sfidave aktuale në sektorin e transportit. Në këtë drejtim, ai kërkoi mbështetje të fortë dhe aktive nga Qeveria e Kroacisë për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme në nivel të Bashkimit Evropian, e cila do të lehtësonte punën e transportuesve maqedonas dhe rajonalë dhe do të parandalonte dëme të mëtejshme ekonomike.
FLORIJE KAMBERI
