Maqedoni
Analizë për procesin eurointegrues, rritet mbështetja e qytetarëve
28.01.2026 14:33
Pas shumë vitesh rritet mbështetja e qytetarëve për integrim në Bashkimin Evropian....

Pas shumë vitesh rritet mbështetja e qytetarëve për integrim në Bashkimin Evropian. Të dhënat që u paraqitën në Kuvend, sipas një analize të mendimit publik, përkrahja shënon mbi 70%.
“Për herë të parë në këtë vit, pas shumë herësh, përkrahja për BE shënon rritje të konsiderueshme, tejkalon 70 për qindëshin. Qytetarët mbështesin integrimin në BE, nëse nesër do të mbahej referendum. E dyta, kemi rritje prej 15% tek etnikumi maqedonas që mbështesin integrimin, ku situata nuk ishte e njëjtë, për shkak të frustrimeve që i kaluam në procesin eurointegrues.”, - deklaroi kryetari i Institutit për Demokraci, Marko Troshanovski.
Megjithatë, mbi 40% të qytetarëve vlerësojnë se procesi aderues drejt BE-së nuk është lojal dhe kjo duhet të respektohet, vlerësojnë nga Konrad Adenauer. Daniel Braun thotë se Gjermania bën gjithçka që Ballkani Perëndimor t’i bashkëngjitet familjes evropiane, por sugjeroi që Unioni dhe RMV-ja të shqyrtojnë plane të reja për tejkalimin e bllokadës.
“Kuptoj atë që qytetarët ndjejnë se rrugëtimi prej BE-së nuk është besnik. Por, në fund besoj se të dyja, BE-ja dhe RMV-ja, duhet të investojnë në mënyrë që ky problem të zgjidhet, por në çdo rast duhet të jemi të hapur dhe të gjejmë ndoshta zgjidhje të reja.”, - theksoi Daniel Braun nga Konrad Adenauer.
Për euroambasadorin Mihalis Rokas, rritja e mbështetjes së qytetarëve është lajm i mirë, por megjithatë përmend kushtet politike, ndryshimet kushtetuese dhe reformat.
“Dera e BE-së është e hapur dhe mendoj se në këtë moment është e patjetërsueshme që vendi të bashkohet, pushteti, opozita, qytetarët, të rinjtë, të jenë pragmatikë, t’i shpejtojnë reformat.”, - u shpreh euroambasadori, Mihalis Rokas.
Deputeti opozitar Venko Filipçe, sërish akuzon Qeverinë për izolim, gjersa Milloshovski nga pushteti, fajin për ngecje e vë tek kërkesat e lëvizshme të Unionit.
“Një çështje që shqetëson më së shumti është antiretorika evropiane e kësaj qeverie dhe vënia e fajit për gjithçka në Evropë, derisa punët shtëpiake nuk i bëjnë. Shihet se Qeveria nuk bën asgjë, ndërkaq duke mos bërë asgjë, ne do të jemi qytetarë të izoluar. Me këtë qeveri, më ketë izolim që qëllimisht po bëhet, po shkaktohet vuajtje në shtet.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Dilemë është se si të mbërrihet në anëtarësim dhe përse gjatë këtij procesi eurointegrues ndryshohen kushtet, për dallim nga ajo kur kemi filluar bisedimet. Frustrimet tek një pjesë e qytetarëve maqedonas vlerësoj se janë të arsyeshme, sepse në rastin tonë, shumë shpesh ndryshohen kushtet e lojës dhe vendosen pengesa që s‘kanë bazë në kushtet e Kopenhagës.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Milloshovski pret zbardhjen e propozimit të paralajmëruar të eurokomesares Marta Kos, e cila, sipas tij, planifikon të dalë me non -paper për modalitetin e anëtarësimit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
