Maqedoni
Kuvend, deputetët miratuan ndryshimet në Kodin Penal, Mariçiq, kryetar i ri i KShZ-së
28.01.2026 14:47
Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, me të cilin synohen dënime më të ashpra për keqpërdorimin e detyrave zyrtare...

Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, me të cilin synohen dënime më të ashpra për keqpërdorimin e detyrave zyrtare, por duke mos i kthyer në nivelin e para shtatorit të vitit 2023, kur kishte ulje të sanksioneve. Ndryshimet u dorëzuan me iniciativë të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, por deputetët e së Majtës u shprehën kundër. Arsyeja ishte se ndryshimet po bëhen në interes të funksionarëve të shumicës. Dënimet edhe pse janë më të ashpra, afati i vjetërsimit të lëndëve është më i shkurtër krahasuar me situatën e vitit 2023.
“Me një zgjidhje të tillë ligjore, ne kemi ulje të dënimeve për pjesën e veprave që kanë ndodhur në pjesën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe furnizimeve publike dhe momenti i dytë që drejtpërdrejt zbatohet me një zgjidhje të tillë ligjore është se po dekriminalizohet një pjesë e madhe e veprave gjatë keqpërdorimit të furnizimeve publike.”, - deklaroi deputetja e së Majtës, Jovana Mojsoska.
Nga VMRO – DPMNE u arsyetuan se ndryshimet duhet përkrahur, pasi midis tjerash, në qendër të vëmendjes kanë gruan.
“Pres që të votoni këto ndryshime dhe t’i mbështesni, pasi që për herë të parë gruaja vihet në qendër të shoqërisë. Viktima, për herë të parë e ka më të lehtë, të mos nënshtrohet, por të paraqesë cilindo dhe të ndiqet dhuna.”, - theksoi deputetja e VMRO – DPMNE-së, Zhaklina Peshevska.
Kuvendi gjithashtu votoi përbërjen e re të KShZ-së në krye me Bojan Mariçiq. Nënkryetar rizgjidhet Abdush Demiri, ndërkaq anëtarë: Aleksandar Dashtevski, Angellço Ristov, Svetllana Karapterova, Boris Kondarko dhe Ditmire Shehu. Ndërkaq për anëtarë të Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, deputetët zgjodhën Limko Bejzaroskin dhe Natasha Amdijun. Kandidatja Xhinan Ahmed ka tërhequr kandidaturën.
MERAL ISMAILI
