Rajon
Malishevë, rreth 60 të intervistuar për falsifikim votash
28.01.2026 15:07
Prokurori në bashkëpunim me policinë e Kosovës kanë nisur një aksion për intervistimin e rreth 60 komisionerëve...

Prokurori në bashkëpunim me policinë e Kosovës kanë nisur një aksion për intervistimin e rreth 60 komisionerëve, nën dyshimet për falsifikim të rezultatit zgjedhor. Nga Prokuroria kanë thënë se ata janë duke u intervistuar, mbi dyshimet për falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Malishevës. Këtë e kanë konfirmuar edhe avokatët e dy të intervistuarve.
“Rasti ka të bëjë me një proces hetimor që po zhvillohet në lidhje me dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore. Klienti është në cilësinë e anëtarit të komisionit, do të thotë deklarata e tij ka të bëjë me funksionin që ka pasur gjatë procesit të numërimit të rezultateve, mirëpo megjithatë informata më të hollësishme në këtë fazë të hetimit nuk mund t’i ofrojmë.”, - deklaroi avokati, Egzon Doli.
“Përfaqësoj një person nga Malisheva. Ai ka qenë i proceduar mbi numërimin e votave si anëtar i komisionit. Ai thotë procedura ishte shumë demokratike, niveli zyrtar i zhvillimit të procedurës ishte në nivelin e duhur, ashtu siç parashihet me kodin e procedurës penale. Ai thotë se e ka pasur për detyrë, ne që i referohemi atij, e ka pasur për detyrë që vetëm të lexojë fletëvotimet dhe të caktojë se për këtë person kush ka votuar. Kurse thotë, evidentimin e atyre deklarimeve të mia e ka bërë kryesuesja e komisionit dhe ai thotë‚ unë nuk di se çfarë ka shkruar ajo në procedurën në kompjuter për evidentimin që ajo ka bërë.”, - theksoi avokati, Ergjyment Barbullushi.
Të premten e kaluar në një aksion të ngjashëm të Prokurorisë dhe policisë së Kosovës 109 persona janë ndaluar, ndërsa 23 prej tyre janë dërguar në paraburgim. Ata dyshohen për falsifikim të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Ndërkohë vazhdon edhe rinumërimi i votave. Siç bëjnë të ditur nga KShZ-ja, deri më tani janë numëruar votat në 30 komuna apo mbi 80% e vendvotimeve.
GYLTENE SINANI
