Maqedoni

Bërvenicë, u arrestuan 5 persona, janë gjetur armë dhe drogë

28.01.2026 15:15

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe SPB-Tetovë janë dhënë detaje nga aksioni i sotëm i Policisë në Bërvenicë të Tetovës....

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe SPB-Tetovë janë dhënë detaje nga aksioni i sotëm i Policisë në Bërvenicë të Tetovës. Sipas zëdhënësit të SPB-Tetovës, Fatmir Rexhepi, janë arrestuar pesë persona të moshës nga 36 deri 69 vjeç, ndërsa gjatë bastisjeve janë gjetur armë, municione dhe substanca, që dyshohet se janë lëndë narkotike.
 
“Gjatë ditës së sotme, gjatë periudhës nga ora 06:40 deri në ora 08:00, pjesëtarët e policisë nga SPB-Tetovë, kanë kryer aksion ose bastisje në fshatin Bërvenicë, Komuna e Tetovës. Gjatë aksionit, në disa shtëpi dhe hapësira ndihmëse, janë gjetur armë, municion, drogë, peshore digjitale dhe sasi e konsiderueshme e parave, si franga zvicerane dhe denarë. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar pesë persona nga mosha 36 vjeç deri në 69 vjeç, të cilët janë mbajtur në stacionin policor në Tetovë, të cilët pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre, do të përgatitet parashtesë përkatëse.”, -  theksoi zëdhënësi i SPB-Tetovës, Fatmir Rexhepi.
 
Nga SPB-Tetovë, thonë se toleranca është zero për të gjithë ata persona që merren dhe tregtojnë lëndë narkotike dhe armë. Sipas SPB-Tetovë, gjatë vitit që lamë pas janë privuar nga liria 73 persona, prej të cilëve 42 nga Tetova dhe 31 nga Gostivari, ku për të gjithë janë parashtruar padi adekuate sipas ligjit të vendit tonë.
 
VISAR SADIKI