Botë
Tensione ShBA – Iran, rritet rreziku i përplasjeve ushtarake
28.01.2026 15:50
Pasiguri e re në Lindjen e Mesme....

Pasiguri e re në Lindjen e Mesme. Uashingtoni shqyrton mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Iranit, të cilin e konsideron përgjegjës për vdekjen e mijëra protestuesve gjatë protestave të fundit antiqeveritare. Në rajon tashmë është dislokuar aeroplanmbajtësja “Abraham Linkoln”, ndërsa presidenti Tramp dërgon një flotë shtesë. Rritja e tensioneve përkon me strategjinë e re mbrojtëse të ShBA-së, e cila e identifikon Teheranin si kërcënim, për shkak të përpjekjeve për të rindërtuar fuqinë ushtarake dhe për të siguruar armë bërthamore.
“Ka edhe një armatë tjetër madhështore që lundron drejt Iranit, pikërisht tani. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Shpresoj që të arrijnë një marrëveshje.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ndërsa Pentagoni shqyrton mundësinë e sulmeve të synuara ndaj zyrtarëve iranianë, Teherani paralajmëron se është i gatshëm të përgjigjet me forcë të plotë.
“Dislokimi i anijeve luftarake nuk do ta lëkundë vullnetin apo vendosmërinë e Iranit për të mbrojtur vendin me të gjitha forcat. Ne kemi si vullnetin, ashtu edhe kapacitetet e plota për të mbrojtur atdheun. Po ndjekim me kujdes çdo lëvizje dhe zhvillim, duke forcuar kapacitetet tona për mbrojtjen e sovranitetit, dinjitetit dhe sigurisë kombëtare.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Bagaei.
Hezbollahu ka shpallur mbështetje për Iranin dhe ka paralajmëruar se një sulm ndaj Ajatollahut Khamenei do të nënkuptonte shpallje lufte kundër botës shiite. Në kushtet e ndryshimeve të shtuara gjeopolitike, Rusia dhe Kina po forcojnë bashkëpunimin e tyre strategjik.
“Shembujt e Venezuelës dhe Iranit kërkojnë që agjencitë tona të analizojnë vazhdimisht situatën e sigurisë dhe të ndërmarrin masa të përshtatshme. Është shumë thelbësore shkëmbimi i rregullt i mendimeve mbi bashkëpunimin ushtarak.”, - u shpreh ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov.
“Duke pasur parasysh peshën e situatës globale në ndryshim, besoj se kontaktet dhe lidhjet tona aktuale janë shumë të duhura dhe të rëndësishme.”, - deklaroi ministri kinez i Mbrojtjes, Dong Jun.
Tensionet mes Iranit dhe ShBA-së mbeten të larta që nga protestat e 28 dhjetorit, të nxitura nga rënia e monedhës rial, e cila arriti nivelin më të ulët historik prej 1.5 milionë rialë për dollar, pas shtypjes së përgjakshme të protestave me mijëra të vdekur. Irani fajëson forcat e huaja, ndërkohë që ekonomia e vendit mbetet nën presion të fortë nga sanksionet ndërkombëtare.
FARIJE DAUTI BAKIU
