Forum: Regjistri i pronarëve të vërtetë të kompanive
Regjistri për zbulimin e pronarëve të vërtetë të kompanive ekziston...

Regjistri për zbulimin e pronarëve të vërtetë të kompanive ekziston, por nuk përdoret, edhe pse këto informacione janë thelbësore për zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit, si dhe për identifikimin e konflikteve të interesit dhe keqpërdorimin e burimeve publike.
Përfaqësues të institucioneve kompetente dhe të organizatave joqeveritare kërkojnë mënyra për të rregulluar këtë çështje.
Hulumtimi i realizuar nga Qendra për Komunikim Qytetar tregon se nga 17 institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit, vetëm dy përdorin këtë regjistër.
Qendra për Komunikim Qytetar, rekomandon që institucionet kompetente të kryejnë krahasime të të dhënave për të ndjekur rrjedhën e parave dhe për të verifikuar nëse të dhënat e regjistrit janë të sakta.
“Regjistri ynë u formua në vitin 2021, por hulumtimet tona treguan se përdoret shumë pak në luftën kundër korrupsionit. Ne kemi të dhënat, por përdoren pak, dhe më pas kemi edhe ndërveprim të vogël, domethënë përdorim të kryqëzuar të të dhënave për pronarët e vërtetë – kush ka marrë tenderë publikë, kush ka marrë koncesione, kush ka marrë tenderë të tjerë, për të parë nëse funksionarët, të fshehur pas disa kompanive si pronarë të fundit, përdorin fonde publike duke keqpërdorur funksionin e tyre.”, - deklaroi German Fillkov nga Qendra për Komunikim Qytetar.
Në Komisionin Antikorrupsion presin që deri në fund të vitit 2027, zgjidhja softuerike të përmirësohet dhe të marrin informacion në bazë ditore për pronarët e kompanive.
“Ky regjistër është interesant për punën tonë në aspekt të ndjekjes së të gjendjes pronësore, gjegjësisht nëse ndonjë funksionar fsheh ndonjë pronësi të kompanisë nëse e ka paraqitur dhe nëse në bazë të saj ka ndonjë dobi nga furnizimet publike.”, - theksoi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
Sipas zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, zbardhja e pronarëve të vërtetë të kompanive që marrin tenderë, mund të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe konflikteve të interesit.
“Llogaridhënia e pronarëve të vërtetë nuk është vetëm një detyrim ligjor, por është gjithashtu baza për qeverisje etike dhe konkurrencë të drejtë. Sfida si qasja e vështirësuar, mungesa e të dhënave, verifikimi i dobët dhe mungesa e ndërveprimit institucional e ulin vlerën kërkimore. Regjistri ynë i pronarëve të vërtetë duhet të jetë publik.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
Nga Byroja për Prokurime Publike theksojnë se do të vazhdojë të mbështesin të gjitha përpjekjet për të luftuar korrupsionin. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
