Maqedoni

LSM në protestë, kërkohet pagë minimale 600 euro

28.01.2026 18:16

U mblodhën para Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për të marshuar drejt Kuvendit...

U mblodhën para Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për të marshuar drejt Kuvendit, Odës Ekonomike dhe Qeverisë. Kërkesat tashmë janë të qarta. Rritje të pagës minimale në 600euro dhe në përgjithësi rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera. 
 
“Nuk do t’ju lusim, do të luftojmë”, ishte slogani para Kuvendit nga qytetarët që ndodheshin aty. Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov theksoi se deputetët nuk duhet të luajnë me djersën dhe mundin e punëtorëve, nga taksat e të cilëve ata marrin pagë.
 
“Do të mbledhim 10 mijë nënshkrime dhe do të kërkojmë që pagat e deputetëve të ulen me 80%, paga minimale të jetë 600 euro, ndërsa pagat e tjera të rriten me 6 mijë denarë. Ne nuk do të heqim dorë, kjo duhet t’ju jetë e qartë. Nuk do të lejojmë që të luani me djersën dhe mundin e punëtorëve, nga taksat e të cilëve merrni pagë”, deklaori kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
 
Trendafilov paralajmëroi ashpërsim të reagimit të punëtorëve dhe grevë të përgjithshme nëse nuk ka rritje pagash, duke e cilësuar të papranueshme përfitimin e pikëve politike mbi vuajtjen e tyre. Nga LSM thanë se protestat do të vazhdojnë dhe do të radikalizohen nëse institucionet nuk reagojnë, me synim rritjen e pagave dhe përafrimin e tyre me standardin e vendeve fqinje, pasi aktualisht janë ndër më të ulëtat në rajon.
 
ARMEND MURSELI