Takim në Paris për sigurinë në Arktik, tensionet për Grenlandën forcojnë koordinimin
Tensionet e fundit mes ShBA-së dhe BE-së për ishullin e Grenlandës...

Tensionet e fundit mes ShBA-së dhe BE-së për ishullin e Grenlandës nxitën një takim mes udhëheqësve evropianë për sigurinë në Arktik. Kryeministrja e Danimarkës dhe kryeministri i Grenlandës, u takuan në Paris me presidentin francez, Emanuel Makron, për të diskutuar kërcënimet në veri dhe mbrojtjen e sovranitetit grenlandez.
Makroni rikonfirmoi solidaritetin e Francës me Danimarkën dhe Grenlandën, duke theksuar rritjen e aktiviteteve ushtarake të Rusisë dhe ndikimin ekonomik të Kinës në Arktik. Ai njoftoi se disa shtete evropiane zhvillojnë ushtrime të përbashkëta ushtarake dhe bëri thirrje për vigjilencë më të madhe të NATO-s edhe për rishikimin e strategjisë së BE-së në Arktik.
“Përballë qëndrimit të Rusisë në Veriun e Largët, pranisë ekonomike të Kinës dhe pasojave strategjike të këtij afrimi, ne ndajmë të njëjtin mendim për nevojën e forcimit të qëndrimit tonë mbrojtës në Arktik. Disa shtete evropiane, përfshirë Francën, e kanë nisur këtë përmes ushtrimeve të përbashkëta ushtarake në Arktik, me kërkesë të Danimarkës. Ne mbështesim gjithashtu rritjen e angazhimit të NATO-s përmes krijimit të një aktiviteti të shtuar vigjilence.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Kryeministrja e Danimarkës theksoi se Evropa ka nevojë më shumë se kurrë të qëndrojë e bashkuar dhe e fortë, duke mbrojtur vlerat e saj dhe duke vazhduar mbështetjen për partnerët strategjikë në këto kohë sfidash globale.
“Në një situatë ku rendi botëror, siç e kemi njohur, është nën presion dhe po ndryshon me shpejtësi, ndoshta madje ka marrë fund, atëherë na duhet një Evropë më e fortë se kurrë. Një Evropë që është e gatshme dhe e aftë të mbrojë vlerat dhe parimet e saj. Për mua, rruga përpara është e qartë: u takon vetëm evropianëve të ndërtojnë një Evropë të sigurt dhe të begatë për të ardhmen.”, - theksoi kryeministrja e Danimarkës, Mete Frederiksen.
“Dua të shpreh falënderimet e mia për qëndrimin tuaj pa hezitim pranë nesh në këtë situatë shumë të vështirë që po përjetojmë. Juve dhe popullit të Francës dua t’ju them, faleminderit shumë. Ne në Grenlandë nuk do ta harrojmë kurrë këtë.”, - u shpreh kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nilsen.
Tensionet për Grenlandën u intensifikuan pas tentativës së presidentit amerikan Donald Tramp për të marrë ishullin, një lëvizje që nxiti reagime të fuqishme nga NATO-ja dhe aleatët evropianë.
Çështja e ishullit ka lëkundur raportet mes ShBA-së dhe Bashkimit Evropian dhe takimi në Paris synon të forcojë koordinimin evropian dhe të NATO-s për të përballuar këto sfida dhe për të ruajtur stabilitetin në rajon. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
