Maqedoni
Shfuqizimi i Qeverisë teknike, Gashi: Nevojitet marrëveshje paraprake
29.01.2026 12:12
Duhet të arrihet marrëveshje dhe të bien dakord së bashku të gjithë aktorët politikë për shfuqizimin e Qeverisë teknike...

Duhet të arrihet marrëveshje dhe të bien dakord së bashku të gjithë aktorët politikë për shfuqizimin e Qeverisë teknike, theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Në lidhje me njoftimin e ministrit të Administratës Publike, Goran Miçev, se do t'u paraqesë deputetëve një propozim për ndryshime në Ligjin për Qeverinë, duke specifikuar se ku opozita do të ketë zëvendësministra shtesë dhe se Qeveria teknike do të jetë e vlefshme vetëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Gashi tha se për këtë nevojitet marrëveshje paraprake.
“Nuk kemi ndonjë propozim nga Qeveria për ndryshim të ligjit për funksionim të Qeverisë, ndërsa sa i përket ndërprerjes apo përmbylljes së procesit të Qeverisë teknike, unë mendoj se ai proces duhet të zhvillohet në mënyrë konsensuale, ashtu siç është dakorduar me marrëveshjen e Shkupit atëherë në vitin 2015, por edhe atëherë, aktorët politikë kanë vendosur që mënyra e përmbylljes së procesit të mos jetë me 2/3 apo me konsensus, por me një shumicë të thjeshtë prej 61 votave. Prandaj, nëse flasim legalisht, në mënyrë procedurale, edhe me 61 vota, nëse merret një vendim i atillë, nuk paraqet asnjë problem nga aspekti i procedurës dhe legalitetit, por nga aspekti politik i rëndësisë, mendoj që duhet të tentojmë të merremi vesh me të gjithë aktorët politikë që ta kuptojmë dhe të bindemi bashkërisht se nevoja për të pasur Qeveri teknike ka përfunduar dhe të vazhdojmë të funksionojmë normal sikur çdo shtet normal, me proceset zgjedhore t’i organizojë Qeveria që është në detyrë.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
